Presidenti Thaçi pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Emirateve
Prishtinë, 14 shkurt - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri jorezident i Emirateve të Bashkuara Arabe për Republikën e Kosovës, Abdulasam Hareb Obaid Al Romaithi.
Kreu i shtetit e uroi ambasadorin, Abdulasam Hareb Obaid Al Romaithi për detyrën e re.
“Urime për postin e ri. Raportet tona janë të shkëlqyeshme. Falënderojmë angazhimin e pakursyer të Emirateve për njohjen dhe shtetndërtimin në Kosovë”, theksoi presidenti Thaçi.
Presidenti Thaçi tha se Emiratet kanë bërë shumë edhe në shtimin e njohjeve për Kosovën, për çka do të jemi mirënjohës.
Ndërsa, ambasadori Abdulasam Hareb Obaid Al Romaithi, duke uruar presidentin Thaçi me rastin e 10 vjetorit të pavarësisë, tha se Emiratet e Bashkuara Arabe do të vazhdojnë mbështetjen për Republikën e Kosovës.
“Emiratet do të qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës dhe do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në të gjitha fushat”, tha ambasadori Abdulasam Hareb Obaid Al Romaithi .
Në fund presidenti Thaçi tha se raportet e mira duhet t’i zgjerojmë edhe në fushën e ekonomisë, ku duhet të kemi më shumë shkëmbime tregtare.