Presidenti Thaçi i pret në takim konsultativ partitë politike
Prishtinë, 24 korrik - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i pret në takim konsultativ sot përfaqësuesit e partive politike.
"Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mban takim konsultativ me përfaqësuesit e partive parlamentare për caktimin e datës për mbajtjen e mbledhjes së parë të Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 11 qershor 2017", thuhet në njoftimin e Presidences.
Por, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e kanë quajtur të panevojshëm takimin e ftuar nga presidenti Thaçi.
Lëvizja Vetëvendosje, si subjekt politik i dytë më i madh për kah numri i votave në Kuvendin e Kosovës, përmes rrjetit social Facebook ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e presidentit Thaçi.
Thaçi nuk ka asnjë kompetencë ligjore që t\'i ftojë subjektet politike për tu konsultuar lidhur me ditën dhe datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit dhe ne nuk kemi asnjë obligim ligjor që të shkojmë në këtë takim, thuhet në deklaratën e Lëvizje Vetëvendosje.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka paralajmëruar edhe lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Si lider i LDK-së, nuk do të marr pjesë as në takimin e ftuar nga presidenti, sepse konsideroj që takimet e tilla janë të panevojshme dhe se ato po krijojnë hapësirë për huti dhe konfuzion dhe për të blerë kohë për manipulime të ulëta me deputetë nga njerëz të caktuar të PAN-it dhe shërbëtorë të tyre, ka thënë Mustafa.