Presidenti Sejdiu udhëtoi për në Nju-Jork
Prishtinë, 19 shtator - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu udhëtoi sot për në Nju-Jork.
Gjatë vizitës, Presidenti Sejdiu pritet të zhvillojë një varg takimesh me liderë dhe përfaqësues të vendeve të ndryshme të botës, të pranishëm në Nju-Jork në këtë kohë.
Presidenti Sejdiu do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti i SHBA, Barak Obama, me rastin e fillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme, si dhe do të mbajë një ligjëratë në Universitetin e Harvardit.
Së bashku me Presidentin Sejdiu, në Nju-Jork do të jenë edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i punëve të Jashtme, Skënder Hyseni.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Sejdiu dhe Thaçi pritet të takohen edhe me përfaqësues të vendeve anëtare të OKB-së, sidomos të atyre që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Kërkesa për njohje do të jetë qëllimi kryesor në secilin prej këtyre takimeve.