Presidenti Sejdiu priti Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë
Prishtinë, 15 mars - Kosova dhe Maqedonia janë shembull i bashkëpunimit të mirë ndërfqinjësor në rajon, tha Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë një takimi që pati sot me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, z. Antonio Milloshoski.
Presidenti Sejdiu, po ashtu, theksoi se dy vendet tona tashmë e kanë krijuar një bazë shumë të mirë të bashkëpunimit, e cila do të jetë bazë për thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella në të ardhmen.
Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë, duke qenë fqinjë të parë, natyrshëm kanë interesa dhe ambicie të përbashkëta, vijoi Presidenti, i cili çmoi të arriturat e Maqedonisë në procesin e integrimeve evroperëndimore, sidomos përfshirjen e këtij vendi në liberalizimin e vizave. Duke theksuar se përvojat e Maqedonisë mund ti shërbejnë si udhërrëfyes i mirë Republikës së Kosovës në këtë aspekt, Presidenti Sejdiu shfaqi bindjen se Republika e Maqedonisë, sikundër deri më tani, do të vazhdojë të jetë një zë mbështetës për Kosovën në institucionet dhe forumet ndërkombëtare, në të cilat ajo merr pjesë.
Edhe Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, z. Antonio Milloshoski, pohoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë shumë të mira, ndërsa janë krijuar të gjitha mundësitë që ato të ngrihen në nivele edhe më të larta. Në këtë kontekst, ai veçoi angazhimin e qeverive të të dyja vendeve për nënshkrimin e katër marrëveshjeve të reja bilaterale, si një dëshmi se Maqedonia dhe Kosova janë të përkushtuara të punojnë së bashku për arritjen e synimeve të përbashkëta.
Republika e Maqedonisë do të jetë udhëheqëse e radhës e Këshillit të Evropës, nga muaji maj deri në nëntor të këtij viti, dhe gjatë kësaj kohe do të jetë në dispozicion të institucioneve të Kosovës, për tu ndihmuar atyre njësoj si deri më sot, tha Ministri Milloshoski.
Do theksuar se, pas këtij takimi, Presidenti Sejdiu dhe Ministri Milloshoksi morën pjesë në inaugurimin e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Prishtinë.