Presidenti Sejdiu priti familjarët e dëshmorit Ismet H. Rrahmani

Prishtinë, 16 prill - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot familjarët e dëshmorit Ismet H. Rrahmani nga Açareva e Skënderajt.
Me këtë rast, Presidenti Sejdiu nënës së Ismetit, Cyme Rrahmani, ia dorëzoi Medaljen Luftëtari i Lirisë - Adem Jashari, me të cilën Presidenti e ka dekoruar kohë më parë dëshmorin Ismet Rrahmani, për trimërinë dhe kontributin e dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në një takim të përzemërt me familjarët, Presidenti Sejdiu vlerësoi lart kontributin dhe luftën për liri, pavarësi e demokraci të dëshmorit Ismet Rrahmani dhe shtoi se sakrifica e tij dhe e dëshmorëve të tjerë do të mbetet përherë në kujtesën e popullit dhe do të vlerësohet nga institucionet e vendit.
Nga ana e tyre, familjarët e dëshmorit Ismet Rrahmani falënderuan Presidentin Sejdiu për dekoratën dhe për kujdesin e vazhdueshëm për të gjithë ata që për lirinë dhe pavarësinë e vendit bënë sakrificën më sublime.