Presidenti Sejdiu përshëndet rezolutën e PE-së për Kosovën
Prishtinë, 8 korrik - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu e përshëndeti Rezolutën për Kosovën, të cilën e miratuan sot me shumicë dërmuese votash anëtarët e Parlamentit Evropian (PE).
Rezoluta për Kosovën e Parlamentit Evropian paraqet një hap shumë të rëndësishëm cilësor të këtij institucioni në raport me vendin tonë, tha Presidenti Sejdiu, i cili ritheksoi se kjo rezolutë dëshmon fuqishëm përkushtimin e vendeve të Evropës për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj.
Ko rezolutë është shumë e rëndësishme edhe për faktin se ajo në mënyrë eksplicite kërkon nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Republikës së Kosovës, që ta bëjnë sa më parë këtë, theksoi Presidenti Sejdiu.
Presidenti Sejdiu çmoi lart edhe angazhimin e deputetes austriake Ulrike Lunaçek, e cila e ka përgatitur këtë rezolutë.
Po ashtu, Presidenti Sejdiu ripërsëriti se vizioni i vetëm i popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë.
Republika e Kosovës është e vendosur ti plotësojë të gjitha standardet që i kërkohen në udhën e integrimeve euroatlantike, ndërsa Rezoluta e sotme e Parlamentit Evropian është një mbështetje konkrete, e cila u jep kurajë të fuqishme synimeve tona sublime për të qenë sa më shpejt edhe de jure pjesë e familjes së madhe evropiane, pohoi Presidenti Sejdiu.