28 Dhjetor 2024

Presidenti Sejdiu përfundoi vizitën në Malajzi

Prishtinë, 21 prill - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, ashtu si u prit ditën kur mbërriti në këtë vend, ashtu edhe u përcoll nga autoritetet e Malajzisë, me nderimet më të larta shtetërore të bëra nga Garda e Nderit e këtij vendi. - Sot, derisa po kthehej për në Kosovë, Presidenti Sejdiu pati një takim të shkurtër e shumë miqësor me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki - moon.

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu mbaroi sot vizitën zyrtare në Malajzi, ku me ftesë të Kryeministrit të këtij vendi, z. Dato’ Sri Mohd Najib Tun Abdul Razak, mori pjesë në punimet e Forumit të gjashtë Ekonomik Islamik Botëror. Siç kemi raportuar edhe më parë, Presidentin Sejdiu ka pasur një adresim të veçantë në ditën e dytë të këtij forumi, në të cilin në mënyrë shteruese ka prezantuar përpjekjet e gjata të popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, si dhe për dëshmimin e Republikës së Kosovës si faktor i paqes dhe i stabilitetit në rajon.

Përveç me Kryeministrin e Malajzisë, Presidenti Sejdiu pati takime të veçantë dhe shumë të rëndësishme më Sulltanin e Brunejit, Hassanal Bolikah dhe me Presidentin e Maldiveve, Mohamed Nashed, të cilët i premtuan Presidentit Sejdiu se do të vazhdojnë ta mbështesin njohjen e Republikës së Kosovës edhe ndër vendet e rajonit të Azisë Juglindore, edhe ndër vendet e tjera të Organizatës së Konferencës Islamike.

Presidenti Sejdiu, po kështu, mori pjesë në shumë aktivitete të mbajtura gjatë këtij forumi. Ai u takua me biznesmenë me ndikim të Malajzisë dhe të vendeve të tjera pjesëmarrëse në Forumin Ekonomik Islamik Botëror, të cilëve u bëri thirrje që të investojnë në Kosovë, meqë vendi ynë u ofron mundësi të shumta për të operuar suksesshëm në fusha të ndryshme, si dhe u garanton sigurinë e investimeve të tyre me një legjislacion modern dhe shumë të favorshëm për investuesit e huaj.

Gjithashtu, në margjinat e punimeve të WIEF-it, Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu pati biseda të gjata dhe shumë konkrete edhe me Presidentin e Indonezisë, Susilo Bambang Yudhoyono, me Presidentin e Senegalit, Abdullaye Wade, me Kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina etj., por edhe me zyrtarë të tjerë nga shumë vende të botës, pjesëmarrës në këtë forum.

Rëndësi të posaçme kësaj vizite të Presidentit Sejdiu në Kuala Lumpur i jep fakti se prijës të shquar shtetërorë, si vetë Kryeministri i Malajzisë, Dato’ Sri Mohd Najib Tun Abdul Razak dhe Presidenti i Maldiveve, Mohamed Nashed, në seancën kryesore të këtij forumi, përsëritën ftesën e tyre drejtuar të gjitha vendeve pjesëmarrëse në WIEF që ta njohin sa më parë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Në këtë kontekst, ata ritheksuan edhe një herë faktin se ndihen shumë krenarë që vendet e tyre janë ndër vendet e para islamike që e kanë njohur Republikën e Kosovës. Për më tepër, edhe Kryeministri Dato’ Sri Mohd Najib Tun Abdul Razak, edhe Presidenit Mohamed Nashed thanë se vendet e tyre jo vetëm që e kanë njohur dhe do ta ndihmojnë njohjen e mëtejme nga shtete të tjera të Republikës së Kosovës, por do t’i nxisin të gjitha vendet e tyre mike që ta ndihmojnë rritën ekonomike të vendit tonë.

Presidenti Sejdiu, duke e falënderuar Qeverinë e Malajzisë dhe drejtuesit e WIEF-it për pritjen e jashtëzakonshme, theksoi se nderimet që i janë bërë atij personalisht janë nderime që njëkohësisht i bëhen gjithë popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ashtu siç u prit me të mbërritur në Maljazi, Presidenti Sejdiu edhe u përcoll - me nderimet e Gardës së nderit të këtij vendi.

Ndërkohë, rrugës së kthimit për në Kosovë, Presidenti Fatmir Sejdiu pati një takim të shkurtër, por shumë të përzemërt me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, z. Ban Ki-moon, me të cilin u takua në Aeroportin e Stambollit.

Ndërkaq, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës mbajti një konferencë me gazetarë, në të cilën ai i informoi hollësisht ata për vizitën në Malajzi.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)