Presidenti Sejdiu e ka shkelur seriozisht kushtetutën
Prishtinë, 25 shtator - Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu e ka shkelur seriozisht kushtetutën e vendit me mbajtjen e njëkohshme të postit të presidentit të Republikës dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kështu konstatoi të premten Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës.
Në njoftimin e lëshuar nga Gjykata Kushtetuese, thuhet se `Në Rastin KI 47/10 `Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës kundër Shkëlqesisë së tij, Fatmir Sejdiu, President i Republikës së Kosovës`, Gjykata konstatoi, me shumice votash , se kërkesa e dorëzuar më 25 qershor 2010 është e pranueshme.
Gjykata gjithashtu konstatoi se ka shkelje serioze te Kushtetutës së Kosovës, respektivisht të Nenit 88.2, nga Shkëlqesia e tij, Fatmir Sejdiu, duke mbajtur njëkohësisht postin e Presidentit të Republikës dhe të kryetarit të partisë politike `Lidhja Demokratike e Kosovës` (LDK).
Tekstet e plota te aktgjykimeve do t`u dërgohen palëve së shpejti`, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Zëdhënësi i Presidencës Xhavit Beqiri, ka thënë se në kabinetin e Presidentit nuk ka mbërritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ai tha se, meqë nuk e ka vendimin e Gjykatës, Presidenca nuk mund ta komentojë atë.
Por, zëdhënësi Beqiri tha se Presidenti Sejdiu ka theksuar që do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, çfarëdo që të jetë ai.
Një mendim të Presidentit për njoftimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas tij, do ta kemi kur ai kthehet në atdhe nga vizita që zhvilloi këto ditë në Nju Jork, ku u zhvillua Seanca e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.