Presidenti Sejdiu dënoi sulmin ndaj deputetit Petar Miletiç
Prishtinë, 5 korrik - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dënoi ashpër sulmin me armë zjarri ndaj deputetit të Partisë sëPavarur Liberale dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të kësaj partie nëKuvendin e Republikës së Kosovës, z. Petar Miletic, para banesës së tijnë pjesën veriore të Mitrovicës.
Sulmi ndaj z. Petar Miletiç, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe drejtues i Këshillit Konsultativ për Komunitete, i cili vepron në kuadër të Zyrës së Presidentit të Republikës, është një akt i shëmtuar kriminal, i cili drejtohet drejtpërdrejt kundër paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe të ardhmes së përbashkët të të gjithë qytetarëve të vendit, thuhet në reagimin e Presidentit Sejdiu.
Angazhimi këmbëngulës i deputetit Miletiç për një jetë më të mirë të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim etnie e besimi, për tolerancë, për bashkëpunim dhe mirëkuptim në mes të gjithëve njerëzve të vullnetit të mirë ka bërë që ai të ketë respektin e qytetarëve anekënd Kosovës, por jo edhe të atyre që nuk u përshtatet rendi dhe ligji, tha Presidenti Sejdiu.
Me këtë rast, Presidenti Sejdiu ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të punojnë për zbardhjen sa më të shpejtë e këtij rasti dhe vënien e fajtorëve përpara drejtësisë.
Deputetit Miletiç i dëshirojmë shërim sa më të shpejtë dhe kthim në detyrën e tij. Institucionet e Kosovës janë të vendosura që ta çojnë deri në fund luftën kundër çfarëdo forme të krimit, e cila cenon jetën e qytetarëve dhe rrezikon stabilitetin e vendit, theksoi Presidenti Sejdiu.