Presidenti Sejdiu: Askush nuk është mbi ligjin
Shkup, 7 maj - Presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu nëpërmjet formulës "askush nuk është mbi ligjin" është prononcuar në lidhje me bastisjet nga ana e Policisë së EULEX-it në Ministrinë e Transportit dhe në pronat e ministrit Fatmir Limaj.
I pyetur nëse kontrolli i shtëpisë së ministrit Limaj nga ana e EULEX-it po e dëmton imazhin e Kosovës në perëndim, presidenti Sejdiu është shprehur: "Unë nuk dua të kem paragjykime për raste dhe çështje, të cilat mund të ngrihen në një formë apo në një formë tjetër. Për mua vlen formula: Askush nuk është mbi ligjin".
"Janë pushtete të ndara dhe ato duhet ta bëjnë punën e vet, flas për gjyqësorin, apo për pjesën e hetuesisë dhe kjo vlen për secilin njeri, pavarësisht. Pra, është me rëndësi që puna e institucioneve të bëhet në mënyrë të ndershme dhe ajo ndershmëri dhe pavarësi e institucioneve të japë të vërtetën për çdo fakt, që mund të ngrihet", ka thënë ndër të tjera Sejdiu.