Presidenti Pacolli vazhdon vizitën në Maqaedoni
Pas takimeve të ditës së parë, në mbrëmje Presidenti Gjorgji Ivanov ka shtruar një darkë zyrtare për Presidentin Pacolli dhe delegacionin e Republikës së Kosovës, në të cilën ai edhe një herë ka folur për marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve tona dhe ka shprehur gatishmërinë për angazhimin për intensifikimin e këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat.
Sot, në ditën e dytë të vizitës, Presidenti Pacolli, i shoqëruar nga Presidenti Ivanov, do të marrë pjesë në Forumin e Biznesit Kosovë-Maqedoni, në të cilin do të marrin pjesë një numër i madh i përfaqësuesve të biznesit të të dyja vendeve.
Në agjendën e ditës së dytë të vizitës janë paraparë edhe disa takime në Shkup, si dhe vizita në komunën e Tetovës.
Presidenti Pacolli është takuar dje pasdite edhe me përfaqësuesit e partive politike në Maqedoni, liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Branko Cervenkovski, liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi dhe kryetarin e Demokracisë së Re, Ymer Selmani.
Pacolli ka dhënë një deklaratë pas të gjitha takimeve. Biseduam për situatën politike në Maqedoni dhe në Kosovë, për mundësitë e bashkëpunimit. Unë gjithmonë e rendis në radhë të parë bashkëpunimin ekonomik, krijimin e mundësive të reja të zhvillimit ekonomik, veprime që çojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve, tha ai.
Jam kundër çdo barriere që mund ta pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve, të mallrave e të ideve. Jetojmë në shekullin 21 dhe për mua këto barriera kanë kuptim banal, shtoi ai.
Duke folur për shqiptarët në Maqedoni, ai tha se pozita e shqiptarëve të Maqedonisë është në duart e tyre.
"Unë bëj thirrje për unitet. Ato mund të kenë divergjenca, programe të ndryshme që u ofrojnë qytetarëve. Por, kur është në pyetje kauza kryesore, atëherë duhet të jenë unikë, tha Presidenti Pacolli.
Nderkaq Presidenti i Maqedonisë, Gjorgji Ivanov ka bërë të ditur se takimi tradicional i Presidentëve të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, Republikës së Maqedonisë, Gjorgji Ivanov e Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, sivjet do të mbahet në Ohër më 12 korrik 2011.
Ky takim, i njohur ndryshe si minisamit i vendeve të Ballkanit, është mbajtur për herë të parë në Vlorë më 2009, vitin e kaluar është mbajtur në Prizren, ndërsa tash ai do të mbahet në Ohër.