Presidenti Pacolli pranon ftesën për vizitë zyrtare në Maqedoni
Prishtinë, 24 shkurt - Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli priti sot në një takim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë në vendin tonë, Stojan Karajanov.
Karajanov e uroi Presidentin Pacolli për zgjedhjen në detyrën e re, duke i dëshiruar sukses në kryerjen e saj.
Ai gjithashtu theksoi bashkëpunimin shumë të mirë mes dy vendeve tona fqinje dhe synimin për zgjerimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi.
Ambasadori Karajanov i përcolli Presidentit Pacolli ftesën e Presidentit të Republikës së Maqedonisë, Gjorgji Ivanov për të vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë. Presidenti Pacolli e falënderoi Presidentin Ivanov për ftesën për vizitë, e cila do të realizohet në një të ardhme shumë të afërt.
Nga ana e ti, Presidenti Pacolli falënderoi ambasadorin Karajanov për vizitën dhe urimet e tij. Gjithashtu, ai vuri theksin tek marrëdhëniet mes Kosovës e Maqedonisë, të cilat janë shumë të mira dhe të cilat duhet të njohin zgjerim në të gjitha fushat.
Pacolli përkujtoi me këtë rast qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet fqinje dhe me vendet e rajonit, në të mirë të stabilitetit, zhvillimit, mirëqenies së të gjithë qytetarëve dhe integrimit sa më të shpejtë të tërë rajonit në institucionet euroatlantike.