Presidenti Pacolli me 21 mars viziton Tiranën
Prishtinë, 7 mars - Presidenti i ri i sapozgjedhur i Kosovës, Behgjet Pacolli, do të nisë në datë 21 mars vizitën e tij dyditore në Tiranë dhe të parën që ndërmerr si kreu i shtetit kosovar.
Burime pranë stafit të Pacollit theksuan dje për gazetën Shqip se tashmë axhenda dyditore e Presidentit të Kosovës është vendosur.
Kështu mësohet se takimin e parë në Shqipëri, Pacolli do ta kryejë me homologun e tij shqiptar, Bamir Topi, ku pritet të diskutohet në lidhje me forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona.
Po kështu, një takim të rëndësishëm kreu i shtetit të Kosovës do të kryejë edhe me kreun e qeverisë shqiptare, Sali Berishën.
Por burimet bëjnë të ditur se një takim i Pacollit është fiksuar edhe me kryetarin e opozitës shqiptare, Edi Rama, dhe po shikohet mundësia e një takimi të tij edhe me Kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli.
Behgjet Pacolli u zgjodh në postin e Presidentit të Kosovës, si kryetar i Partisë Aleanca Kosova e Re (AKR), parti kjo e themeluar në vitin 2006 dhe aktive në skenën politike të Kosovës.