Presidenti Pacilli votoi qeverinë, shkeli Kushtetutën
Prishtinë, 27 shkurt - Presidenti i Kosoves, Behgjet Pacolli, duket se ka shkelur Kushtetutën që në minutat e para të marrjes së detyrës.
Pacolli ka votuar kabinetin qeveritar, pasi ka dhënë betimin për president.
Me këtë rast, ai ka rënë ndesh me nenin 88, pika 1 të Kushtetutës, i cili ia ndalon kryerjen e ndonjë funksioni tjetër publik.
Sipas ekspertëve të Kushtetutes, mendimin e të cilëve ka marrë gazeta Koha Ditore, akti themeltar i shtetit ia ndalon presidentit kryerjen e funksioneve të tjera.
Siç sugjeron kjo e përditshme, duket se Pacolli nuk ka qenë në dijeni të këtij fakti kur ka ngritur dorën në favor të qeverisë Thaçi 2 në datën 22 shkurt në Kuvendin e Kosovës.
Votimi i qeverisë është bërë pas zgjedhjes së tij president. Eksperti Arsim Bajrami shprehet për Kohën Ditore se që në momentin që presidenti bën betimin i ka filluar mandati, ndaj si i tillë atij i ngrin çdo lloj funksioni tjetër publik.
Kujtojmë se për një akt të ngjashëm shkoi në Gjykatën Kushtetuese edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu, pasi kishte vënë firmën si kryetar partie në një dokument të LDK-së.