Presidenti kroat Ivo Josipoviq uron Presidenten Jahjaga
Prishtinë, 14 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim ambasadorin e Republikës së Kroacisë në vendin tonë, Zoran Vodopija.
Presidentja Jahjaga tha se Kosova dhe Kroacia janë dy vende mike, që kanë marrëdhënie shumë të mira në të gjitha fushat, marrëdhënie këto që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke u intensifikuar edhe më tej.
Ajo theksoi ndihmën që Kroacia i ka dhënë deri tash vendit tonë dhe kërkoi që kjo përkrahje të vazhdojë edhe më tej, sidomos në planin e sigurimit të njohjeve të reja për Republikën e Kosovës, anëtarësimin e saj në shumë iniciativa rajonale, e sidomos në procesin e integrimeve euroatlantike, ku Kosova mund të përfitojë shumë nga eksperienca e Kroacisë në këtë fushë.
Nga ana e tij, ambasadori Vodopija i përcolli Presidentes Jahjaga urimet e Presidentit të Kroacisë, Ivo Josipoviq dhe theksoi se vendi i tij është i gatshëm të ndihmojë në vazhdimësi Kosovën dhe të zgjerojë edhe më tej bashkëpunimin shumë të mirë që kanë të dy shtetet tona në shumë fusha.