Presidenti i Panamasë viziton Kosovën
Prishtinë, 30 maj Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur të premten në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari, presidentin e Republikës së Panamasë, Ricardo Martinelli, i cili ka filluar një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Gjatë takimit me presidentin Martinelli, ministri Hoxhaj i ka uruar mirëseardhje në Kosovë, duke shprehur mirënjohjen e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për përkrahjen që ky shtet ka dhënë për Kosovën.
Ministri Hoxhaj e njoftoi presidentin panamez për progresin në Kosovë, fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj shprehu vullnetin e Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dhe shkëmbimeve bilaterale me Panamanë, duke iu referuar edhe hapjes së Ambasadës së Kosovës në Panama, si një hap të rëndësishëm në këtë drejtim.
Presidenti i Panamasë, Ricardo Martinelli, falënderoi ministrin Hoxhaj për mikpritjen, duke shprehur mbështetjen e mëtutjeshme të shtetit të tij për Kosovën.
Martinelli po ashtu shprehu vullnetin e shtetit panamez për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale me Republikën e Kosovës.