Presidenti i Letonisë, Egils Levits viziton sot Kosovën
Prishtinë, 22 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani - Sadriu pret sot për vizitë zyrtare Presidentin e Republikës së Letonisë, Egils Levits.
Fillimisht në Sheshin 'Ibrahim Rugova' Presidentja Osmani do ta presë Presidentin Levits me ceremonitë më të larta shtetërore.
Pas ceremonisë së pritjes, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani - Sadriu zhvillon takim me Presidentin e Republikës së Letonisë, Egils Levits si dhe në fund të takimit Presidentja Osmani dhe Presidenti Levits mbajnë konferencë për media.
Përgjatë kësaj vizite Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë.
Me qëllim të qarkullimit të lirë të eskortës nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta zyrtare.
Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta, do të angazhohen zyrtar policorë të njësiteve relevante, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.