Presidenca dhe Qeveria te shqetesuar për veprimet e EULEX-it
Prishtinë, 17 mars - Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli ndan shqetësimin e tij lidhur me akuzat e ngritura ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së me dyshimin për krime lufte.
\"Ne besojmë thellë se Lufta e UÇK ka qenë luftë e pastër, çlirimtare e popullit të Kosovës kundër një agresioni të egër me synime asgjësimi dhe gjenocidi. Ajo ka qenë dhe mbetet njëra nga faqet më të ndritshme të historisë sonë\", thuhet në deklaraten e Presidentit.
\"Ne besojmë se akuzat e ngritura ndaj ish-pjesëtarëve do të cilësohen si të pabazuara dhe shpejt do të provohet pafajësia e tyre, sikundër edhe shumë herë deri më tani.\"
Presidenti i Republikës së Kosovës, në të njëjtën kohë, beson se organet e drejtësisë në Kosovë, pa ndikime anësore, do ta kryejnë punën e tyre. Të ndërgjegjshëm se ligji është mbi të gjithë, i inkurajojmë organet e drejtësisë kosovare dhe ato të EULEX-it që sundimin e ligjit ta shtrijnë në çdo cep të Kosovës.
Presidenti i Republikës së Kosovës shpreh konsideratën për gatishmërinë e treguar nga ana e të akuzuarve për të bashkëpunuar me autoritetet e drejtësisë, duke e konsideruar këtë si rrugën e vetme për të dëshmuar pafajësinë e tyre.
Edhe Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësim për veprimet e fundit të EULEX-it, që rezultuan me ngritjen e akuzave për krime lufte ndaj disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së).
\"Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli i Kosovës kanë zhvilluar luftë të drejtë, të pastër, ka respektuar normat dhe standardet ndërkombëtare.\"
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se çdo përpjekje për njollosjen e luftëtarëve të UÇK-së do të dështojë edhe kësaj radhe.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e bindur se këto akuza do të vërtetohen si të pabazuara dhe të shpifura, për arsye se lufta çlirimtare e UÇK-së ka qenë në mbrojtje të vendit dhe popullit tonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e inkurajuar me bashkëpunimin e të akuzuarve me autoritetet e drejtësisë, dhe është e bindur se kjo është mënyra e duhur për të dëshmuar pafajësinë dhe luftën e drejtë që kemi bërë për lirinë e vendit tonë.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet sundimin e rendit dhe ligjit në mënyrë të pavarur dhe transparente.
Qeveria e Republikës së Kosovës, fton qytetarët e Kosovës të cilët me plotë të drejtë janë të brengosur dhe të indinjuar me këto veprime, që të përmbahen dhe të kenë besim në pafajësinë e të akuzuarve dhe në sistemin e drejtësisë.