Presidenca dhe qeveria dënuan vrasjen në Mitrovicë
Prishtinë, 8 prill - Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës e dënon sulmin me mjet shpërthyes, në një banesë private, në lagjen e Tre Rrokaqiejve në Mitrovicë, me çrast është vrarë një qytetar i Kosovës dhe është lënduar familja e tij.
Aktet e këtilla të dhunshme dhe sulmet sipas presidentes janë të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë stabilitetit të vendit.
\"Ato pengojnë përpjekjet e vazhdueshme për vendosjen e rendit dhe të qetësisë në gjithë Republikën së Kosovës dhe në veçanti në pjesën veriore të territorit të saj.\"
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës kërkon nga institucionet përgjegjëse që të kapin autorët e këtij incidenti dhe ti vënë ata përpara drejtësisë.
Edhe Qeveria e Republikës së Kosovës dënon aktin terrorist, në të cilin humbi jetën një qytetarë, në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.
Ky akt i drejtuar ndaj jetës, lirisë dhe pronës së qytetarëve, është një akt kriminal dhe terrorist, ndaj të cilit Qeveria e Kosovës shpreh indinjatë dhe angazhohet që ndriçimi i tij, kapja e akterëve dhe dënimi i tyre të bëhet sa më shpejt.
Kryeministri ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Policisë së Kosovës dhe nga organet e ndjekjes, që të bëjnë çmos që aktorët e këtij akti terrorist, të kapen dhe të marrin dënimet e merituara nga ana drejtësisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj të vendosur në luftën kundër të gjithë atyre që rrezikojnë jetën, lirinë dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.