Premtimet dhe dështimet e qeverisjes së PDK-së në Gjilan
Prishtinë, 14 gusht - Sot drejtuesit dhe aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE, duke u udhëhequr nga kandidati për kryetar komune të Gjilanit, Ismajl Kurteshi, para objektit të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, realizuan një aktivitet të larmishëm të prezantimit të të gjitha premtimeve të parealizuara nga qeverisja lokale e qendrore e PDK-së.
Nën sfondin e një pankarte me dimensione të mëdha, ku ishin të shkruara në dy kolona vertikale premtimet dhe dështimet e qeverisjes së PDK-së dhe kryetarit të Komunës, Qemajl Mustafës, për secilin premtim të dhënë folën dhe prezantuan dhjetëra aktivistë të Qendrës.
Prezantimin e dështimeve të deritashme të pushtetit aktual në Gjilan, e hapi Ismajl Kurteshi, i cili u ndal në mega-premtimet e parealizuara si: 100 milion euro investime kapitale, 4 mijë vende të reja pune dhe rregullimi i lumit Mirusha.
Në vitin 2009 janë premtuar 100 milion euro investime kapitale për 4 vitet në vijim, por bazuar në dokumentet e komunës deri në fund të mandatit nuk do të investohen as 15 milion euro.\"
\"Komuna investim e ka llogaritur edhe tjetërsimin e pronës publike të ish kadastrës në pronë private, por rezultat i këtij investimi është qiraja marramendëse dhe kushtet katastrofike të punës së kësaj drejtorie në një objekt privat. Investim është llogaritur edhe prishja e çerdhes së fëmijëve Ardhmëria I, ku si rezultat i këtij investimi është një çerdhe më pak në Gjilan dhe pagesa e qerasë për çerdhen.\"
\"Investime llogariten edhe shportat e mbeturinave që komuna i ka blerë për kompaninë publike Higjeno-teknika, e cila pas këtyre investimeve është dhënë në koncesion. Në tërë këtë proces Kryetari i Komunës është involvuar tejmase tha Kurteshi.
Ai ka ironizuar që investime po llogariten edhe shumë projekte të lëna përgjysmë si: rrjetet e ujësjellësve në shumë fshatra të komunës nga të cilat nuk rrjedh asnjë pikë ujë; projektet e papërfunduara si: Biblioteka Regjionale, Sahat-Kulla, Varrezat e Dëshmorëve, e shumë rrugë e trotuare, shkolla etj.
Nevzad Isufi përkujtoi dështimin tjetër të qeverisjes lokale mbi mungesën e pajisjeve me teknologji dhe mjete të reja digjitale dhe laboratorët në shkolla. Nafije Mehmeti kritikoi për mospërmbushjen e premtimit mbi planet rregullative urbane.
Kryetari Mustafa dhe kjo qeverisje e PDK-së pati premtuar se do të respektohen planet rregullative urbane, por këto plane sapo janë bërë, janë ribërë dhe janë shpenzuar shuma të mëdha parash për të njëjtat projekte u shpreh aktivistja Mehmeti.
Avni Rudaku tha se pushteti aktual pati premtuar rregullimin e Tregut të Gjelbër, por nuk investoi asnjë cent, madje u përpoq që ta privatizojë dhe ta jap hapësirën e tregut për nevoja të shitjes së banesave dhe lidhjes së pushtetarëve me ortakët e tyre në biznes afarist.
Lumnije Avdiu përmendi premtimin tjetër të radhës nga kjo qeverisje, siç ishte rregullimi i varrezave të dëshmorëve. Këto varreza të dëshmorëve nuk u rregulluan siç u pat thënë, madje as nuk u investua që të jetë e shtruar asfalt baza e monumentit në Kodrën e Dëshmorëve theksoi Avdiu.
Fehmi Sylejmani shprehu shqetësimin mbi mungesën e investimeve në infrastrukturë të zonave kufitare, viseve rurale dhe lagjeve urbane, e për të cilat ishin premtuar edhe në mandatin e parë, edhe në mandatin e dytë.
As nuk u investua në fshatrat si Bilinica, Kravarica, Nasala e fshatra të tjerë, e as në shumë lagje brenda qytetit dhe jashtë tij. Ky pushtet harroi realizimin e këtyre premtimeve, duke thënë se qendra e qytetit do të ketë edhe katër korsi pohoi Sylejmani.
Sami Shabani ia kujtoi qeverisjes lokale dhe qendrore të PDK-së se, luftimi i korrupsionit ishte proklamuar si prioritet. Jo vetëm që nuk u luftua korrupsioni në komunën e Gjilanit dhe Qeveri, por ata vetë u bënë pjesëmarrësit kryesorë të keqpërdorimit të pushtetit deklaroi Shabani.
Rahim Pireva duke folur në cilësinë e ekonomistit, nënvizoi premtimin e krijimit të zonës ekonomike në Gjilan, nga vetë kryetari i komunës.
Patën thënë se do të krijohet zona ekonomike dhe nuk e bënë kurrë atë. Në muajt e fundit, shkonin në Çeki dhe thoshin se po e bëjmë një zonë ekonomike si modelet e zonave ekonomike në këtë shtet. Po ashtu, kanë thënë se zona ekonomike do të ndërtohet bashkë edhe me Artanën, por në realitet nuk ndodhi asgjë dhe kjo ishte një gënjeshtër tjetër e radhës u shpreh Pireva.
Ardian Azemi kritikoi qeverisjen e PDK-së, e cila ka premtuar në fushata elektorale se do të jetë qeverisja më transparente, por u bë qeverisja më e mbyllur në vend.
Nuk ka pasur as transparencë, përgjigjet e tyre me shkrim janë dhënë me bazë personalizimin e çështjeve, i kanë ikur gjërave që kemi kërkuar dhe është vështirësuar qasja në dokumentet publike ka thënë Azemi.
Shaban Ramadani nga pika e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Livoç të Ulët, i ka kujtuar opinionit të gjerë publik se kjo qeverisje lokale bashkë me kryeministrin Hashim Thaçi, patën premtuar ndërtimin e hekurudhës Gjilan-Ferizaj.
Deri sa të ndërtohet kjo hekurudhë, qytetarët e Gjilanit mund të marrin foto vetëm nën sfondin e hekurudhës në Ferizaj, sepse kjo hekurudhë ka qenë premtim astronomik, që asnjëherë madje nuk është përmendur nga kjo qeverisje, e lëre më të ndërtohet u shpreh Ramadani.
Fazli Behluli adresoi përgjegjësitë te kjo qeverisje lokale, e cila nuk e rriti efikasitetin në punë dhe administratë publike, ndërsa Alban Hyseni e preku premtimin e parealizuar rreth zhvillimeve në sport, rini dhe kulturë.
Palestra kryesore e sportit ka probleme me ngrohje gjatë dimrit. Nuk u bë qendra e madhe kulturore-rinore, nuk u investua as në objektet kulturore në fshatrat e komunës, të paktën për renovim. Sporti në Gjilan ballafaqohet me probleme të nduarndurshme deklaroi Hyseni.
Leonard Myftaraj potencoi rënien e investimeve vendore dhe të huaja. Si mund të pritet të investohet në komunë, me imazhin e korrupsionit që ka krijuar kjo Qeveri dhe qeverisje lokale?! Si mund të priten investime me krim të organizuar, me ryshfete dhe me politika të gabuara stimuluese? Si mund të pritet të investohet diku ku privatizimi shkoi aq keq?!- pyeti Myftaraj.
Shkodran Ramadani u mor me luftimin e nepotizmit, i cili ishte po ashtu premtim i qeverisjes së PDK-së.
Kryetari i komunës ia siguroi një vend pune bashkëshortes së tij, e që ishte vend pune përkohësisht, por ka disa muaj që akoma punon. Ajo u punësua pa kritere dhe pa konkurs publik. Nuk mund të presim që një strukturë moderne e qeverisjes si komuna, të funksionojë dhe të qeveriset me baza të lidhjeve farefisnore. Një gjë e tillë është anakronike dhe mund të zhduket vetëm me hapjen e vendeve të reja të punës, sidomos në sektorin e prodhimit përfundoi prezantimin Ramadani.
Përgjatë kohës sa u bë prezantimi, disa aktivistë shpërndanë në duart e qytetarëve fletushkat në të cilat kujtoheshin premtimet e parealizuara të qeverisjes së PDK-së dhe kryetarit të komunës së Gjilanit.