Pozita e gruas kosovare në vendimmarrje është përmirësuar
Prishtinë, 29 shtator - Grupi Joformal i Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane organizuan sot një tryezë lidhur me implementimin e ligjeve që kanë të bëjnë me barazinë gjinore. Në këtë debat u konstatua se pozita e gruas kosovare në vendimmarrje dhe përgjithësisht në shoqëri po përmirësohet.
Përvojat më të mira në SHBA dhe në botë tregojnë se pjesëmarrja grave në jetën parlamentare dhe në veprimtari tjera kontribuon shumë në mbarëvajtje të punës. Kontributi i gruas ndihet edhe në luftën kundër dukurive negative, siç është luftimi i korrupsionit. Po kështu, kontributi i grave vërehet edhe në tejkalimin e ndarjeve partiake , ose të tjera, pastaj në tejkalimin konflikteve e në arritjen e kompromiseve.
Në këtë tryezë, të cilën e kryesoi Flora Brovina, kryetare e grupit, mori pjesë edhe veprimtarja e njohur për barazi gjinore dhe aktivitete për fuqizimin e pozitës së gruas në shoqëri, Stephenie Foster nga SHBA-ja, si dhe Jennifer Washeleski, zëvendëskryetare për marrëdhënie publike në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë.