Possellt: PE gjithnjë ka qenë për pavarësinë e Kosovës
Prishtinë, 6 shtator - Deputeti gjerman në Parlamentin Evropian, Bent Possellt, në takim me kryeparlamentarin kosovar Jakup Krasniqi, në Prishtinë, tha se, Parlamenti Evropian gjithnjë ka qenë për pavarësinë e Kosovës, ndërkaq, ekziston problemi i 5 shteteve të BE-së që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Sipas zyrës për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës, Possell theksoi se, Parlamenti Evropian nuk pranon asnjë lloj ndarjeje të Kosovës. Kosova është unike.
Lidhur me çështjen e minoriteteve, eurodeputeti gjerman tha se, minoritetet duhet të respektohen në të dyja anët e kufirit shtetëror Kosovë-Serbi.
Në takim u fol edhe për gjendjen në veri të Kosovës, si dhe për procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi.
Krasniqi e njohu deputetin Possellt me strukturën e Kuvendit dhe për punën që bën legjislativi i vendit në hartimin dhe aprovimin e ligjeve sipas standardeve evropiane.
Pasi falënderoi eurodeputetin Possellt për angazhimin e tij personal në Parlamentin Evropian për Kosovën, Krasniqi vuri në pah edhe kontributin e gjithë parlamentarëve gjermanë, që Parlamenti Evropian të ketë qasje shumë pozitive ndaj Kosovës.
Me Parlamentin Evropian kemi pasur kontakte të rregullta dhe mbështetje, ashtu si edhe nga parlamentet e veçanta të Bashkimit Evropian, theksoi Krasniqi.