Portugalia do të vazhdojë mbështetjen e Kosovës
Prishtinë, 6 dhjetor - Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim ambasadorin e Portugalisë në Hungari, jo-rezident në Kosovë, Antonio Jorge Mendes.
Ministri Hoxhaj e ka informuar ambasadorin Mendes për progresin e vazhdueshëm në Republikën e Kosovës dhe hapat e fuqishëm në proceset integruese.
Hoxhaj shprehu bindjen se Portugalia do të vazhdojë mbështetjen e Kosovës në rrugën euro integruese, duke filluar nga liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës si dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Ministri Hoxhaj ka falënderuar popullin dhe Qeverinë e Portugalisë për përkrahjen e dhënë për Kosovën, duke shprehur vullnetin e Prishtinës për fuqizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit bilateral në shumë fusha me Republikën Portugeze.
Ambasadori i Portugalisë në Hungari, jo-rezident në Kosovë, Antonio Jorge Mendes, vlerësoi lart progresin e arritur në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e fuqishme të shtetit të tij për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe veçanërisht për proceset integruese në Bashkimin Evropian.