Populli i Kosovës përherë mirënjohës ndaj ish-Sekretares Albright
Prishtinë, 24 mars - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi lule te busti i ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, në Prishtinë.
Kreu i Kuvendit tha se populli i Kosovës nuk do të harrojë kurrë dhe do të jetë gjithmonë mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshme që znj. Albright ka dhënë për lirinë e Kosovës.
“Ajo së bashku me Presidentin Clinton ishin forca kryesore shtytëse në planin ndërkombëtar për të ndalë gjenocidin e shtetit të Serbisë mbi popullin e Kosovës. Në një në adresim që ia bëri dje popullit amerikan, Presidenti Clinton e përshkroi më së miri zonjën Albright, duke e cilësuar atë një thesar kombëtar”, tha kryetari Konjufca.
Kryetari i Kuvendit tha se zonja Albright do të kujtohet dhe nderohet përherë, sepse, shtoi ai, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ajo iu gjend popullit të Kosovës në ditët e tij më të vështira.
“Përkulemi para kontributit të zonjës Albright. U prehtë në paqe kjo zonjë e madhe dhe mike e madhe e popullit të Kosovës”, tha në adresimin e tij para mediave kryetari Glauk Konjufca. ​