23 Dhjetor 2024

Populli i Kosovës më pro-evropiani, duhet garantuar e drejta për të udhëtuar

Prishtinë, 5 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu ka zhvilluar një takim virtual me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola me të cilën diskutuan një sërë temash, që nga liberalizmi i vizave për Kosovën, situata aktuale në Evropë pas luftës së Rusisë kundër Ukrainës, si dhe përkushtimin e Kosovës për paqe dhe dialog.

Duke e falënderuar Presidenten Metsola për përkushtimin e saj për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës, Presidentja Osmani ritheksoi se populli i Kosovës është populli më pro-evropian në botë, prandaj e drejta për të udhëtuar lirshëm duhet garantuar pa vonesë.

“Vlerat evropiane janë të mishëruara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe përparimi i vazhdueshëm i vendit tonë në indekset e ndryshme të demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit janë dëshmi që e ardhmja jonë e vetme është në familjen evropiane."

"Ne jemi të përkushtuar që të forcojmë marrëdhënien tonë për një rrugëtim të drejtë e të barabartë drejt Bashkimit Evropian”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Në këtë bashkëbisedim, Presidentja Osmani e informoi Presidenten Metsola për synimin e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, përpjekjet institucionale për rimëkëmbje nga pandemia dhe rolin konstruktiv të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Ndërkaq Presidentja Matsola e falënderoi Presidenten Osmani për bashkërendimin e Kosovës me partnerët perëndimorë për luftën në Ukrainë dhe ritheksoi kërkesën e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për përshpejtim të liberalizimit të vizave.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)