Populli i Kosovës ka respekt dhe lidhje të veçantë historike me Izraelin
Prishtinë, 1 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të mërkurën në takim ambasadorin e Shtetit të Izraelit në Beograd, Yossef Levy.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e njoftoi ambasadorin Levy për progresin që po arrihet në Kosovë, duke theksuar agjendën e prioriteteve të Programit të Qeverisë, që është i orientuar në zhvillimin ekonomik, punësimin, forcimin e shtetit ligjor, integrimet evropiane si dhe reformat që po ndërmerren në arsim e shëndetësi, si pjesë e zhvillimit të vendit.
Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që Izraeli ka dhënë për Kosovën, në të gjitha fushat.
Kryeministri Isa Mustafa tha se populli i Kosovës ka respekt dhe lidhje të veçantë historike me Izraelin dhe popullin e saj, duke theksuar vullnetin e Kosovës për të thelluar edhe më tutje marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin e gjithanshëm ndërmjet dy popujve dhe dy vendeve.