Policia e Serbisë e largoi përmendoren në Preshevë
Afro 150 pjesëtarë të xhandarmerisë, rreth orës 7:00 të mëngjesit, e kanë rrethuar sheshin në qendër të qytetit, ku gjendej përmendorja, e kanë mbuluar me një thes të bardhë të plastikës dhe e kanë ngarkuar në kamion, i cili i përcjellur nga 20 makina të policisë, është larguar nga Presheva.
Mediat serbe raportojnë për 200 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe të kenë qenë roje të bagerëve të cilët e shkulën lapidarin nga vendin para komunës për ta ngarkuar në një kamionë.
Ende nuk dihet se ku është dërguar lapidari. Siç dihet mbrëmë raportohej nga mediat serbe se veteranët e UÇPMB-së kishin rënë dakord që lapidari të zhvendosej në oborrin e xhamisë, ose të Shtëpisë së Kulturës.
Sipas medieve serbe, në sheshin ku ishte i vendosur lapidari, pos ekipeve të shumta të medieve dhe pjesëtarëve të xhandarmërisë dhe automjeteve të tyre të blinduara, gjatë aksionit të heqjes së lapidarit, ishte edhe komandanti i xhandarmërisë serbe, Bratislav Dikiç me bashkëpunëtorë, Slagjan Velinoviç, shef i policisë së Vranjës dhe Avdi Bajrami, komandant i policisë në Preshevë me zëvendësit e tij.
Nga ndërtesat përreth një numër qytetarësh kanë përcjellë aksionin. Transmeton agjencia serbe Tanjug.
Sheshi, sipas medieve serbe, tashmë tërësisht është pastruar dhe nuk ka shenja se këtu ka ekzistuar ndonjë përmendore.
Kryeministri serb dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç ka deklaruar se pas skadimit të të gjitha afateve ligjore, me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë, pjesëtarët e xhandarmërisë e kanë hequr lapidarin e vendosur në mënyrë jolegale në Preshevë.
"Serbia ka treguar durim të mjaftueshëm, por edhe ka dërguar mesazh të fuqishëm se ligji duhet të respektohet dhe se askush nuk është më i fortë se shteti, ka thënë Daçiç për mediat serbe.
Sipas B92, nuk ka pasur incidente me rastin e heqjes së përmendores.
Nga ana tjetër, në njoftimin e qeverisë së Serbisë, theksohet se përmendorja e ngritur në mënyrë ilegale, sot është larguar nga qendra e Preshevës dhe se aksioni ka kaluar pa incidente.