Policia e Kosovës ka debuar këshilltarin e Nikoliçit
Prishtinë, 20 korrik - Policia e Kosovës ka ndërprerë pasditen e së enjtes vizitën në Kosovë të këshilltarit kryesor të presidentit serb, Marko Gjuriç.
Sipas raportimeve të RTK, makinat që shoqëronin Gjuriç janë rrethuar nga makinat e Policisë së Kosovës, të cilat i kanë shoqëruar deri në pikën kufitare të Merdares për tu kthyer në Serbi.
Ngjarja në fjalë ka acaruar Beogradin, në veçanti kabinetin e presidentit Nikoliç, që ka deklaruar se ky veprim i institucioneve të Prishtinës përbën një provokim të hapur.
Është e qartë se fajtorët kryesorë për këtë incident janë institucionet e Prishtinës. Kjo është një përpjekje që para rifillimit të bisedimeve të trembet popullsia joshqiptare në Kosovë, thuhet në një komunikatë për shtyp.
Sipas komunikatës, Gjuriç donte vetëm të vizitonte manastirin e Graçanicës dhe qytetarët e saj, por prania e madhe e forcave të policisë kosovare e ka detyruar atë të largohet.
Edhe pse për vizitën ishte lajmëruar misioni EULEX, Prishtina ka treguar forcën dhe i ka dërguar Republikës së Serbisë një tjetër provokim, thuhet më tej në komunikatë.
Por pavarësisht pretendimeve të Beogradit se vizita në fjalë nuk kishte karakter politik, dihet fare mirë se zyrtarët serbë që vizitojnë Kosovën i kthejnë ato në të tilla, duke bërë deklarata provokuese për sovranitetin e shtetit të ri.