Podujeva, peng i keqqeverisjes së Agim Veliut e LDK-së
Prishtinë, 7 maj - Qeverisja Komunale në Besianë vazhdon të mbetet peng i keqqeverisjes se Kryetarit Agim Veliu dhe klanin të tij. Këta, Komunën dhe pasuritë e saj i konsiderojnë si pasuri private të familjes apo ortakëve.
Qendra e Vetëvendosje!-s në Besianë bashkë me grupin e anëtarëve të saj në Kuvendin Komunal gjatë 100 ditëve të qeverisjes lokale kanë treguar se nuk do të heshtin përballë veprimeve të dëmshme politike, ekonomike e sociale të kryetarit Veliu, i cili sikur edhe më parë premtimet elektorale i përdori për të rimarrë pozitën e kryetarit, derisa jeta dhe standardi i qytetarëve të Besianës çdo ditë e më shumë po e merr teposhtëzën.
\"Janë pikërisht fushat në të cilat kishte premtuar Kryetari si ato për administratë efikase, zhvillim ekonomik-social, shërbime cilësore në shëndetësi, zhvillim të bujqësisë, arsim dhe mjedis cilësor etj, ato të cilat tashmë janë katandisur në një gjendje të zymtë. Shkak i këtij degradimi është kapja nga klani partiak i Veliut, e si pasojë qytetarët pësojnë keqqeverisjen, keqpërdorimet, mungesën e profesionalizmit, duke çuar Komunën drejt humnerës\", thekson Vetëvendosje.
Administrata komunale vazhdon të lëngojë nga mungesa e thellë e aftësisë dhe kapaciteteve në ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët.
Komuna dhe buxheti i saj sipas Vetëvendosjes vazhdojnë të udhëhiqen pa kurrfarë plani dhe strategjie zhvillimore duke iu nënshtruar tekeve të klanit partiak të kryetarit Veliu. Rast flagrant është ai i investimeve të bëra në Liqenin e Batllavës ku janë shpenzuar mijëra euro të qytetarëve të Besianës. Këto investime janë cilësuar nga Ministria e Mjedisit në kundërshtim me ligjin për mjedisin dhe se punimet e deritashme pritet që të rrënohen. Krejt kjo si pasojë e mungesës së planifikimeve dhe profesionalizmit, por dhe përpjekjeve për përfitime nga bizneset në atë zonë.
Mungesa e përgjegjësisë institucionale dhe nënshtrimi i institucioneve komunale ndaj pazareve partiake u vërejt edhe me vonesat në caktimin e drejtorëve komunal. Përzgjedhja e të cilëve u bë për të përmbushur interesat e klaneve të ndryshme partiake që sundojnë Komunën tash sa vite.
Pozita e Drejtorit të kulturës rinisë dhe sportit vazhdon të mbetet e zbrazët si pasojë e mosmarrëveshjeve për ndarjen e interesave. Deri më sot asnjë nga drejtorët ashtu sikur edhe Kryetari nuk kanë prezantuar kurrfarë plani vjetor të punës dhe as nuk e kanë në plan për ta bërë një të tillë.
Punësimet në baza partiake dhe familjare tashmë janë rregulli i brendshëm në Komunë. Në pothuajse çdo institucion të Komunës sonë, prej administratës, tek shërbimet e shëndetit dhe arsimit vërehet ky fenomen. Kurse, subvencionet në bujqësi dhe bursat tashmë janë shndërruar në një mekanizëm për blerjen e pakënaqësisë dhe shpërblimin e militantëve partiak dhe familjarëve të pushtetarëve.
Bujqësia vazhdon të jetë në ndër veprimtaritë e injoruara. Prodhimet bujqësore, vazhdojnë të shiten rrugëve dhe trotuareve të qytetit sikur para shumë dekadave duke rrezikuar qytetarët sa nga trafiku ashtu edhe nga cilësia e prodhimeve të cilat i ekspozohen ndotjes enorme në ambiente të tilla pa kushte elementare. Krejt ky problem ka një emër: ndërtimin e tregut të gjelbër që kjo qeverisje nuk e sheh si prioritet. Madje, drejtuesit e Komunës dhe nuk ka pranuar as të bashkëpunojë me Komunën e Prishtinës për të marrë pjesë në projekt të përbashkët për ndërtimin e tregut për prodhimet vendore.
Investimet infrastrukturore janë të dobëta nga cilësia e në rrugët e shtruara të qytetit kanë filluar të vetëhapen gropat. Këto investime janë bërë kryesisht në zonat ku jetojnë funksionarët e pushtetit. Derisa neglizhohen gati plotësisht nevojat dhe kërkesat e shumta për investime infrastrukturore në shkolla (rrethoja, ambiente sportive, parqe), në fshatra dhe në projekte mjedisore.
Vërshimet nga reshjet shiut mbuluan sipërfaqe të tëra dhe duke dëmtuar pasuri të qytetarëve të Besianës. Ato nxorën në shesh mungesën e reagimit profesional dhe serioz nga Komuna. Drejtuesit u sollën me shumë si spektatorë se sa si institucion i cili u del në ndihmë qytetarëve. Nga vizitat që kemi pasur si delegacion në disa prej zonave të prekura nga reshjet e shiut kemi hasur në dëme të mëdha që u janë shkaktuar qytetarëve por edhe në pakënaqësi të mëdha nga mosintervenimi institucional.
Në Komunën e Besianës reduktimet e ujit janë ashpërsuar aq shumë sa që e ka vështirësuar seriozisht jetesën e qytetarëve dhe me gjithë këtë gjendje Kryetari vazhdon me injorimin e këtij problemi.
Përfundimisht ky 100 e ca ditësh i qeverisjes Veliu tregon se qytetarët e Besianës janë të braktisur nga kryetari i tyre, i cili në agjendën e tij ka akomodimin e interesave të tij dhe partisë së tij dhe jo kryerjen e detyrave të përcaktuara me kushtetutë dhe ligje që tu shërbejë qytetarëve dhe tu dal në ndihmë atyre kur ata kanë nevojë.
\"Ne do vazhdojmë të ngremë zërin ndaj kësaj qasjeje moskokëçarëse të Komunës dhe do jemi në shërbim të mobilizimit të qytetarëve në adresimin e kërkesave dhe pakënaqësive të tyre derisa ta kthejmë komunën në duart e qytetarëve të cilëve u takon. Po ashtu u bëjmë thirrje organeve të Prokurorisë që të hetojnë veprimtarinë e paligjshme në Komunën tonë, sa më parë dhe pa kompromis\", thekson Vetëvendosje.