PNDSH kundër çdo dialogu politik me Serbinë
Prishtinë, 26 gusht - Partia Nacionale Demokratike Shqiptare, ka ritheksuar edhe një herë se është kundër çdo dialogu politik me Serbinë. Në një konferencë për media, drejtuesit e këtij subjekti politik, dialogun politik me Serbinë e quajtën formë të re të mbikëqyrjes së pavarësisë.
Pavarësisht presionit që kanë partitë politike, e sidomos ato opozitare, asnjëra nga to nuk duhet të pranojë që të jetë pjesë e një koalicioni i cili do të hynte në bisedime politike për çështjen e veriut të Kosovës. Kështu mendojnë përfaqësuesit e Partisë Nacionale Demokratike Shqiptare. Kryetari i saj, Bujar Abdullahu, thirrjet për dialog politik me shtetin fqinj i konsideron formë të re të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
Ai tha se në Kosovë mungon në përgjithësi uniteti opozitar dhe shprehet se është e domosdoshme që të gjitha subjektet politike të bashkohen për ta kundërshtuar dialogun.
Madje, ai tha se edhe partia e tij është e gatshme që t`iu bashkohet subjekteve tjera politike ne mënyrë që të pengohet ky proces.
Abdullahu po ashtu tha se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur kurajë e as kreativitet të nxjerrë kurrfarë përfitime nga bisedimet e deritanishme me Serbinë. Ai më tej shtoi se nëse opozita është serioze dhe këmbëngul në kundërshtimin e saj për dialog politik, atëherë ajo duhet të gjejë mënyra më të qarta që të reagojë me qëndrime dhe kërkesa unike opozitare.