Pllana, kandidati i Vetëvendosje! për Kryetar të Vushtrrisë
Prishtinë, 30 korrik - Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Vushtrri mbajti konferencë për media me çrast shpalli kandidatit e Lëvizjes Vetëvendosje! për Kryetar të Komunës së Vushtrrisë.
Ditën e diele, nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 20:00 në mbrëmje, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje! në 18 Pika të Komunës së Vushtrrisë, kanë votuar për të zgjedhur kandidatin për Kryetar të Komunës.
Faton Shabani, nga Komisioni Zgjedhor Ad-Hoc i Qendrës, tha se gjatë 24 orëve pas publikimit të rezultateve, nuk ka pasur asnjë ankesë lidhur me procesin e brendshëm zgjedhor.
Meqë nuk kishte asnjë ankesë, sot, ne si Komision Zgjedhor Ad-Hoc i Qendrës, shpallim rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të brendshme në Vushtrri si në vijim: kandidati Besim Muzaqi ka marrë 46.76 % të votave, ndërsa kandidati Xhemajl Pllana ka marrë 53.24% të votave. Pra, fitues i zgjedhjeve të brendshme për kandidat të Kryetar të Komunës së Vushtrrisë shpallet profesor Xhemajl Pllanën, theksoi Shabani.
Pas tij, fjalën e mori Besim Muzaqi, i cili doli i dyti në këto zgjedhje, duke thënë se me këtë proces, Lëvizja Vetëvendosje! përmes këtij procesi të brendshëm zgjedhor ka dëshmuar se ka kulturë të lartë demokratike.
Unë bashkë me të gjithë ata që më kanë votuar, do të jemi krahu i djathtë i profesor Xhemajl Pllanës, në të gjitha. Me ndihmën e qytetarëve të Vushtrrisë besoj se me 3 nëntor do ti japim fund keqqeverisjes në këtë komunë. Profesor Xhemajl Pllanës i uroj fitoren dhe i dëshiroj suksese në të ardhmen, nëpër proceset ku do të angazhohemi të gjithë pa dallim, u shpreh Muzaqi.
Xhemajl Pllana, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! për Kryetar të Komunës së Vushtrrisë, falënderoi aktivistët e Qendrës së Lëvizjes në këtë komunë për përgjegjësinë që i dhanë.
Me kuadrat ë tilla si Besim Muzaqi me shokë, të rinj e të reja, mund të bëhen ndryshime të mëdha. Mund të eliminohet korrupsioni, nepotizmi, burokracia, e të tjera. Vushtrria me rrethinë ka potenciale natyrore e njerëzore për një zhvillim ekonomik, për punësim."
"Me që Vushtrria ka tokë shumë pjellore, fitorja jonë në zgjedhjet lokale do ta bëjë Vushtrrinë me Drejtoratin për Bujqësi, u shpreh Pllana, duke shtuar se ai bashkë me të gjithë aktivistët e tjerë do të angazhohen maksimalisht për ta ndryshuar gjendjen në Vushtrri, që tani është e mjerueshme, sidomos në fushën e arsimit, shëndetësisë e biznesit.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, duke uruar profesor Xhemajl Pllanën për angazhimet e reja që i ka marrë nga aktivistët e Vetëvendosje!-s në Vushtrri, tha se Pllana është veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare, i cili aktivitetin e tij politik e ka filluar që nga viti 1975 në celulën Shkëndijat e Kuqe, pastaj në Lëvizjen e Metush Krasniqit e Jusuf Gërvallës, me çrast burgoset e izolohet disa herë.
Pas vitit 1990 ka punuar si profesor i gjeografisë në gjimnaz. Ka qenë luftëtar i UÇK-së në vitit 1998-1999, e aty pastaj Drejtor i Drejtorisë për Administrim Civil dhe Marrëdhënie me Publikun pranë Shtabit të Zonës Operative të Shalës, tha Kurti.
Duke folur për Vushtrrinë, Kurti theksoi se kjo Komunë as po mbështetet nga institucionet shtetërore e as përkrahet nga ato lokale.
Pas luftës filloi privatizimi i egër dhe abuziv, që e deindustrializoi edhe Kosovën në përgjithësi, e posaçërisht edhe Vushtrrinë. Shembulli më domethënës është privatizimi i Llamkos"-it. Kjo fabrikë e përpunimit të llamarinës, që dikur kishte 500 punëtorë, pasi u privatizua e falimentoi disa herë, tash i ka 10 fish më pak punëtorë. Edhe këta që punojnë sot aty, marrin ndihmë sociale, e jo pagë, theksoi Kurti.
Duke qenë se Vushtrria është prodhuesi më i madh i patates në Kosovë, e ku për një sezon kultivohen 140 mijë ton patate, Kurti risolli në vëmendje se si pasojë e importit të madh dhe tregut të pambrojtur, vitin e kaluar Lumi Sitnica në Vushtrri u mbush me tonelata patatesh të hedhura nga prodhuesit e braktisur nga mbrojtja e institucioneve të vendit.
"Me gjithë humbjet e mëdha, prodhuesit nuk janë dorëzuar dhe nuk dorëzohen dhe sërish po e kultivojnë pataten, pa ndihmën e shtetit, pa ndihmën e komunës vërejti Kurti.
Në fund, u diskutua për Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes Vetëvendosje! që përmbëhet nga tre shtylla, atë të shtetit të së drejtës, shtetit zhvillimor dhe shtetit social. Përmes kësaj zgjidhjeve që paraqiten në të Lëvizja Vetëvendosje! do ti realizojë ndryshimet e mëdha që i nevojiten Kosovës.
Ndryshimet e mëdha që i duam ne, nuk janë ndërrim pushtetarësh, por transformim pushteti e transformim shteti, përfundoi Kurti.