Petroviq: Nuk do të ketë ndryshim të kufijve në territorin e Kosovës
Prishtinë, 13 gusht - Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Slobodan Petrovic, ka thënë se nuk do të ketë ndryshim të kufijve në territorin e Kosovës. Sipas tij, rendi dhe ligji duhet të respektohen në tërë territorin e Kosovës.
Petrovic ka deklaruar se Qeveria e Kosovës po bënë politikë paqësore, për ta përmirësuar situatën në veri. Ai i ka falënderuar KFOR-in, Brukselin dhe Washingtonin për ndihmën e dhënë.
Në një intervistë për Epoka e Re, ai ka shtuar se pas aksionit të 25 korrikut në veri, grupet kriminale dita-ditës janë duke u dobësuar. Ai është shprehur i bindur se institucionet e reja, që do të dalin pas zgjedhjeve në Serbi, do ta ndryshojnë qëndrimin ndaj Kosovës.
Siç po shini, çdo ditë janë duke u dobësuar ato grupe kriminale, sepse janë duke u përballur me ligjin, është shprehur ai.
Sipas tij, për ta zgjidhur situatën në veri, qeveria e Kosovës, opozita dhe shoqëria e Kosovës duhet të jenë bashkë në një vijë.
Për barrikadat në veri ka thënë se paraqesin një grup qytetarësh të cilëve nuk u ka konvenuar marrëveshja e arritur.
Besoj se edhe këta në një kohë të caktuar do ta pranojnë marrëveshjen. Sigurisht se ai grup qytetarësh ka motive për ti ruajtur barrikadat se kanë përfituar nga situata e mëhershme.
Petrovic ka shtua se me situatën e krijuar në veri ka pasur përpjekje edhe nga serbët e tjerë në jug të lumit Ibër për të vendosur barrikada, por se personalisht ka marrë masa.
I kam thirrur të gjithë kryetarët e komunave serbe, ministrat e deputetët serbë, e u kam thënë se nëse ndodh ndonjë ekses i serbëve në jug, ju jeni fajtorët, jo kryeministri Thaçi me të tjerët