Petroviq, me pasaportë të Serbisë zyrtarisht në Rusi
Prishtinë, 31 mars - Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Slobodan Petroviq, me pasaportë të Serbisë zyrtarisht në Rusi.
Slobodan Petroviq, zëvendëskryeministër nga radhët e komunitetit serb, i cili drejton edhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, gjatë 2012-s ka bërë gjithsej 8 vizita zyrtare.
Midis tyre është edhe në Rusi, me të cilën e ka përmbyllur vitin e shkuar kalendarik. Ka qëndruar atje gjatë datave 4 e 5 dhjetor dhe gjatë kësaj periudhe, sipas një dokumenti zyrtar, ka shpenzuar 445 euro, shkruan Koha Ditore.
Në pyetjen se me çfarë pasaporte Petroviq ka udhëtuar në Rusi nuk është përgjigjur as Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe as Ministria e Punëve të Jashtme.
Në territorin e Rusisë nuk mund të hyhet me pasaporta të Republikës së Kosovës. Kjo nga shkaku që, ky shtet, jo vetëm se nuk e njeh Kosovën, por nuk ia njeh as dokumentet e udhëtimit.
Burime të Kohës Ditore kanë thënë se zëvendëskryeministri Petroviq ka udhëtuar në Rusi me pasaportë të Serbisë dhe jo të Kosovës. Me Kushtetutën e vendit, qytetarëve u njihet dyshtetësia. Shumica e serbëve të Kosovës kanë edhe shtetësi të Serbisë.