Petroviq, i paguar edhe nga Serbia
Prishtinë, 7 janar - Zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petroviq, njëherësh ministër i Pushtetit Lokal, i cili është perfshire në institucionet e Republikës së Kosovës që nga viti 2007, ka deklaruar se nuk mban asnjë post në institucionet e Kosovës.
Sipas një shkrese, të siguruar nga Koha Ditore që ai i ka dërguar më 2011 Entit për Sport dhe Mjekësi të Sportit të Qeverisë së Serbisë, del se në Kosovë punon si pjesëtar i sigurimit të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. Po sipas të njëjtës shkresë, ai nuk mban asnjë pozitë në institucionet e Kosovës.
Ndërkohë, në faqen zyrtare të Ministrisë të cilën e udhëheq, thuhet se Petroviq përveç që është jurist dhe themelues i Partisë Liberale, me të cilën që nga viti 2008 deri më 2011 u përfaqësua në Kuvendin e Kosovës, ai ishte edhe drejtor për integrime në Postën dhe Telekomunikacionin e Kosovës.
Ish-roja e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, po sipas faqes zyrtare të MAPL-së, për kontributin e tij politik u zgjodh politikani më i mirë i vitit 2008, nga Kuvendi i OJQ-ve të Kosovës, kurse në zgjedhjet parlamentare të 2010-s, partia e tij fitoi tetë ulëse në Kuvendin e Kosovës, duke ia mundësuar atij që të bëhej pjesë e pushtetit me PDK-në e kryeministrit Hashim Thaçi.
Ky i fundit e emëroi zëvendës, ndërsa për angazhimin e tij Petroviç në vitin e kaluar u shpërblye me titullin Ambasador i Paqes 2012 nga Federata Universale e Paqes.
Mirëpo këto të dhëna nuk figurojnë në letrën të cilin Petroviç ia ka dërguar Entit për Sport dhe Mjekësinë e Sportit të Qeverisë së Serbisë.
Sipas shkresës të cilën e ka siguruar Koha Ditore, Petroviç deklaron se nuk mban asnjë post në institucionet kosovare, madje ai nuk jeton as në Kosovë.