Petroviç: Nuk do të ketë ndarje të Kosovës
Prishtinë, 1 qershor - Zëvendëskryeministri i Kosovës i cili njëherit është edhe ministër i Pushtetit Lokal, Slobodan Petroviç deklaroi se ndarja e Kosovës do të ishte zgjidhje e dëmshme për gjithë rajonin dhe nuk e ka mbështetjen as të serbëve të Kosovës.
Petroviç në një intervistë për radio Dukagjinin është shprehur i bindur se ndarje nuk do të ketë. Ndërkaq, duke folur për pritshmërinë e raportit të progresit, Petroviç ka theksuar se ka marrë premtime nga presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Baroso se raporti për Kosovën do të jetë pozitiv.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petroviç, njëherësh kryetar i Partisë së Pavarur Liberale serbe ka thënë se ideja e ndarjes është e dëmshme dhe nuk do të ndodh kurrë.
Qëndrimi ynë zyrtar si e Partisë së Pavarur Liberale serbe ashtu edhe e imja personale dhe e gjithë serbëve është se ndarja e Kosovës është një ide e dëmshme. Çdo ndarje apo shkëmbim i territoreve nuk është zgjidhje dhe nuk do të ndodhë kurrë, tha ai.