Petroviç: Në rastin e Lushtakut të respektohet ligji
Prishtinë, 9 dhjetor - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviç tha se në rastin e Skenderajt dhe betimit të Sami Lushtakut, do të veprojnë sipas ligjit për qeverisjen lokale.
Ai tha se respekton vullnetin e qytetarëve të Skenderajt, por Ministria të cilën ai e udhëheq do të zbatojë ligjin dhe rendin kushtetues të Kosovës.
Kjo është e paraparë me ligj. Deri më tani nuk ka pasur ndonjë formë tjetër përveç asaj që betimi të bëhet para asamblistëve. Ministria e Pushtetit Lokal do ta respektojë ligjin, ne sigurisht që jemi edhe për atë që të respektojmë përzgjedhjen që kanë bërë qytetarët, mirëpo Ministria duhet të respektojë ligjin, pra atë që thotë ligji dhe kushtetuta.
Petroviç e bëri këtë deklaratë pas takimit që pati me kryesuesit aktualë të Kuvendeve Komunale.
Në takim, kryesuesit u njoftuan për obligimet ligjore që kanë të bëjnë me organizimin e mbledhjes inauguruese, në të cilën ceremoni do të nënshkruhet deklarata solemne për marrjen e detyrës nga ana e anëtarëve të kuvendeve komunale, të dala nga zgjedhjet lokale.