Petroviç: Do të hyjmë në qeverinë e Thaçit
Prishtinë, 31 janar - Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale (SLS) në Kosovë, Slobodan Petroviç ka thënë se pritet të jetë pjesë e koalicionit me PDK-në e Hashim Thaçit.
Në një intervistë për të përditshmen beogradase Danas, Petroviç ka thënë se është plotësisht normale që SLS të jetë pjesë e bashkëqeverisjes në qeverinë e re të Kosovës dhe se këtë e presin edhe zgjedhësit e kësaj partie.
Lufta ka kaluar dhe udhëheqës të luftërave në Kosovë nuk ka, tanimë janë liderët të cilët kanë marrë legjitimitetin e tyre në zgjedhje dhe kjo është kriter më i rëndësishëm. Meqë PDK e Hashim Thaçit ka marrë më shumë vota, atëherë pritet që të nisim negociatat për qeverinë e re, ka thënë kreu i SLS-së, parti e cila ishte në koalicion me PDK-në në përbërjen e fundit të Qeverisë.
Petroviç ka shprehur mëdyshje se deri nga mesi i shkurtit do të formohet qeveria e re e Kosovës.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 12 dhjetori, SLS-ja, sipas rezultateve përfundimtare, të dhëna të dielën mbrëma nga KQZ-ja, ka fituar tetë vende në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.