Petersen: Shteti i Kosovës është një storie suksesi
Prishtinë, 17 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti në takim ish-kryeadministratorin e Kosovës, Soren Jessen Petersen, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale politike në vend dhe rajon, përfshirë edhe marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes dy vendeve.
Kryeministri Thaçi shprehu kënaqësinë që në rrethanat e reja të konsolidimit të shtetit të Kosovës po takohet me ish-kryeadministratorin e Kosovës, duke vlerësuar kontributin e tij gjatë shërbimit në Kosovë, po ashtu edhe në periudhën pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Në takimin e sotëm të kryeministrit Thaçi dhe z.Petersen është biseduar edhe për progresin e Kosovës në të gjitha sferat, me theks të veçantë anëtarësimin e Kosovës në organizatat e fuqishme ndërkombëtare dhe fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim - Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si një prej të arriturave kryesore në rrugën e integrimeve euroatlantike, dhë në të njejtën kohë si një proces i pakthyeshëm për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.
Kryeministri Thaçi duke potencuar marrëveshjen e arritur mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore tha se institucionet e Republikës së Kosovës janë të vendosura që në koordinim të plotë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të zbatojnë në plotëni këtë marrëveshje, duke theksuar se kjo është në të mirë të Kosovës dhe Serbisë, në të mirë të evropianizimit të rajonit dhe mbi të gjitha në të mirë të vendosjes së sundimit të rendit dhe ligjit dhe hapjes së perspektivës së zhvillimit ekonomik edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës.
Ish-kryeadministratori i Kosovës, Soren Jessen Petersen, potencoi se Qeveria e Republikës së Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Hashim Thaçi ka bërë punë të mirë në shumë fusha, duke dëshmuar se shteti i Kosovës është një storie suksesi.
Petersen e vlerësoi lartë lidershipin e kryeministrit Thaçi në arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.