Peterle bën thirrje për kampanjë paqësore dhe zgjedhje të besueshme
Prishtinë, 2 qershor - Shefi i Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian dhe anëtari i Parlamentit Evropian nga Sllovenia, Alojz Peterle, gjatë një konference për shtyp sot në Prishtinë, bëri thirrje për kampanjë paqësore dhe zgjedhje të besueshme.
I bëj thirrje të gjitha palëve që të luajnë rolin e tyre duke siguruar sjellje paqësore gjatë gjithë kampanjës, dhe të mos humbasin këtë mundësi për të siguruar zgjedhje të besueshme për të gjithë popullin e Kosovës, tha ai.
Gjatë vizitës së tij dy ditore në Kosovë, Z. Peterle u takua me kryetaren e Komitetit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, me kryeministrin në largim Isa Mustafa, ministrin në largim Enver Hoxhaj, si dhe me përfaqësues të subjekteve politike, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar.
Duke pranuar që ka sfida në administrimin e zgjedhjeve për shkak të kohës së shkurtër prej 30 ditësh për zgjedhjet e parakohshme legjislative të 11 qershorit, Peterle tha se megjithatë ato përfaqësojnë një mundësi të shkëlqyeshme për të treguar pjekuri demokratike.
Ai gjithashtu bëri thirrje që të gjithë akterët politikë të përmbahen nga çdo gjuhë ose formë e presionit dhe frikësimit që mund të dëmtojë integritetin e procesit zgjedhor. Kjo përfshin edhe lejimin e mediave që të ofrojnë platformë për subjektet politike pa ndërhyrje.
Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve (EOM) u dërgua në Kosovë pas një ftese nga Presidenti i Kosovës. Një ekip bazë prej tetë analistësh arritën në Kosovë më 19 maj.
Përveç 16 vëzhguesve afatgjatë të dërguar nëpër Kosovë, Misionit do ti bashkangjiten edhe 32 vëzhgues afatshkurtër, një delegacion nga Parlamenti Evropian si dhe vëzhgues të rekrutuar individualisht nga përfaqësuesit diplomatikë në Kosovë të shteteve anëtare të BE-së. Gjithsej, Misioni do të përbëhet nga rreth 100 vëzhgues nga vende të ndryshme të shteteve anëtare të BE-së si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra.
Një deklaratë preliminare me të gjeturat e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve do të prezentohet në një konferencë për shtyp në Prishtinë, 48 orë pas ditës së zgjedhjeve. Dy deri tre muaj pas përfundimit të procesit zgjedhor, Misioni për Vëzhgim të Zgjedhjeve do të publikojë raportin final, i cili do të përfshijë rekomandime për zgjedhjet në të ardhmen.
EU EOM dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë operojnë si të pavarur nën mandate specifike.