03 Maj 2024

Pesë gratë më të fuqishme në Kosovë

Prishtinë, 29 gusht - Në një kabllogram, Ambasada Amerikane në Kosovë ka evidentuar se presidentja aktuale e Kosovës, Atifete Jahjaga, para katër vjetësh ishte njëra prej grave me më ndikim në Kosovë, zbulon Wikileaks përmes publikimit të korrespodencës së ish-ambasadores Tina Kaidanow.

Në korrespodencën e ish-ambasadores me Departamentin Amerikan të Shtetit, shënohet se zyrtarja politike e Ambasadës Amerikane në Prishtinë për çështje të grave, Heidi Barrachina ka identifikuar pesë gratë me më ndikim në Kosovë dhe tri gratë e Kosovës, të cilat kanë ndikim më së shumti në mesin e minoriteteve.

1. Flaka Surroi paraqitet e para në listën e amerikanëve si gruaja më e fuqishme në Kosovë, drejtoreshë e Grupit Koha, kompani kjo e cila e boton gazetën me tirazhin më të madh në Kosovë, Koha Ditore, dhe e cila para luftës përshkruhet se ka qenë aktiviste e një organizate të mbrojtjes të së drejtave dhe lirive humanitare, ndërsa pas luftës ka drejtuar një OJQ, ndër më të suksesshmet, Fondi i Komunitetit të Kosovës.

2. Jeta Xharra cilësohet si femra e dytë më e fuqishme në Kosovë, e cila është drejtoreshë e Rrjetit të Raportimit Investigativ në Ballkan (BIRN) dhe moderatore e programit debatues “Jeta në Kosovë”, dhe e cila para luftës ka punuar si gazetare në gazetën Koha Ditore dhe pastaj në BBC. Më vonë, shkruan kabllogrami, ajo kompletoi një master në Mbretërinë e Bashkuar.

3. Pranvera Dobruna, gruaja e tretë e renditur në kabllogramin e Ambasadës së SHBA-së, përshkruhet si grua me ndikim të fuqishëm, ngase është Drejtoreshë Menaxhuese e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), e cila vlerësohet si e përfshirë drejtpërdrejt në influencimin e rregullave të energjisë.

4. Atifete Jahjaga, gjeneral-majore, gruaja e katërt me radhë e përshkruar në kabllogramin e paklasifikuar, përshkruhet me funksion si Komisionare asistuese në Bordin e Sigurisë dhe Policisë Kufitare të Kosovës. Ndërsa, në përshkrimin e jetës së saj, cilësohet si udhëheqëse kyçe në Policinë e Kosovës, e cila ka punuar në promovimin e demokratizimit të forcës së policisë. Ajo ishte femra e parë kosovare që ka arritur gradën Gjeneral-lejtënante dhe pastaj Komisionare asistuese dhe oficerja e parë e Shërbimit Policor të Kosovës, e cila është pranuar në Akademinë e FBI-së, në Quantico të Virgjinias.

Jahjaga edhe në biografinë e saj zyrtare ka shënuar se ka ndjekur programe studimore në Akademinë e FBI-së.

5. Mimoza Kusari-Lila, në atë kohë drejtoreshë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, është cilësuar si zëri i komunitetit të Kosovës, e cila përshkruhet se ka pasur influencë direkte në rregullat e investimeve të huaja dhe ekonomike të Qeverisë.

Dokumenti përmend edhe gra të fuqishme nga minoritetet në Kosovë, Vesna Jovanoviq, anëtare e Kuvendit të Kosovës, si pjesë e “Listës serbe për Kosovë e Metohi”, Nadira Avdiq-Vllasi, kryeredaktore e programit në gjuhën boshnjake në RTK dhe kryeredaktore e revistës “Alem” në gjuhën boshnjake, si dhe Hilmnijeta Apuk, drejtoreshë dhe themeluese e organizatës “Little People of Kosovo”, drejtuese financiare në Ministrinë e Shëndetësisë, përfaqësuese e komunitetit dhe e njerëzve me aftësi të kufizuara dhe shefe e gazetës për personat me aftësi të kufizuara.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)