Përurohet objekti i ri i Pallatit të Drejtësisë
Prishtinë, 25 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, kanë bërë përurimin zyrtar të objektit të ri të Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë.
Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast, ishte e pranishme edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, personalitete të tjera të larta vendore e ndërkombëtare, si dhe zyrtarë e punonjës të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka marrë pjesë në inaugurimin e Pallatit të Drejtësisë. Ky projekt madhor përmbyllë një fazë të rëndësishme të kompletimit të infrastrukturës fizike, duke siguruar ambient për gjyqtarët, prokurorët dhe stafin përcjellës ta bëjnë punën me më efikasitet.
Ambienti i këndshëm i punës, me një arkitekturë që pasqyron transparencë, do të reflektojë në shërbime më të mira për qytetarët, në kthimin e besimit në drejtësi.
Me infrastrukturë moderne sigurohen parakushte themelore për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit. Ambientet e tilla të punës nxisin edhe ngritje të llogaridhënies nga gjyqtarët dhe prokurorët. Pallati i Drejtësisë është bashkë financuar nga Bashkimi Evropian dhe Republika e Kosovës.
Gjatë procesit të finalizimit të këtij projekti, Ministria e Drejtësisë ka bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Administratës Publike për të siguruar që gjykatat dhe prokuroritë, pjesë e këtij kompleksi, të funksionalizohen sa më shpejtë.
Qeveria e Republikës së Kosovës është angazhuar në përmirësimin e infrastrukturës së gjyqësorit përmes ndërtimit të gjykatave dhe prokurorive, duke përfshirë edhe përmirësimin e shërbimit korrektues, në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ministria e Drejtësisë do të vazhdojë që të punojë drejt përmirësimit të kushteve për gjyqtarë dhe prokurorë, duke synuar kthimin e plotë të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë, njëkohësisht vlerëson lartë kontributin e vazhdueshëm të partnerëve ndërkombëtar, në përgjithësi, si dhe të Bashkimit Evropian, në veçanti, në fuqizimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, në të mirë të të gjithë qytetarëve të vendit.
Prezenca e Komisionerit Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, z. Johannes Hahn, në inaugurimin e Pallatit të Drejtësisë dëshmon vullnetin e Bashkimit Evropian në fuqizimin e sundimit të ligjit për të mirën e qytetarëve, si dhe përkushtimin për integrim të Kosovës në familjen Evropiane.