21 Janar 2025

Perspektiva euroatlantike e Kosovës është e qartë

Prishtinë, 25 gusht - Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri ka takuar sot grupin e gazetarëve austriak të cilët janë duke e vizituar Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri në këtë takim bëri një ekspoze të gjerë rreth zhvillimeve të përgjithshme politike në Republikën e Kosovës.

Ajo fillimisht theksoi se Qeveria e Kosovës ka vizion euroatlantik për shtetin e Kosovës i cili vizion mbështetet në vlerat perëndimore për ndërtimin e shtetit sovran dhe demokratik të Kosovës si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin ndërkombëtar, me prioritet që Kosova të bëhet sa më shpejtë anëtare e NATO-s, BE-së, OKB-së, etj. 

Duke folur për reformat euroatlantike ajo theksoi se pavarësia e Kosovës u dëshmua dhe po dëshmohet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon, dhe shteti jonë shquhet si promotor i stabilitetit, paqes, bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë.

Zëvendëskryeministrja Tahiri tha se Kosova është një vend me potenciale të mëdha ekonomike dhe me kapital njerëzor me të rinj që kanë shkollime dhe njohuri për teknologjinë informative, andaj Kosova është një vend ku investitorët e jashtëm dhe ata austriak mund të realizojnë investime me interes për veten dhe Kosovën.

Në vazhdim, znj. Tahiri tha se Kosova ka përparuar në rrugën e integrimeve në BE dhe NATO dhe si qeveri jemi të angazhuar që të vazhdojmë me reformat strukturore që vendi jonë sa më shpejtë të bëhet pjesë e familjes euro-atlantike, në këtë kuadër, vlerësoi vendosjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në përmes Marrëveshjes Stabilizim Asocim, ndërsa kërkoi që BE të mos e zvarris liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke shtuar se është e padrejtë që qytetarët e Kosovës ende mbeten të izoluar.

Gjatë këtij takimi, znj. Tahiri ka vlerësuar se dialogu i Brukselit është në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon dhe se Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë e përkushtuar për arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut teknik dhe më pastaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, ku BE ka dhënë një kontribut të madh me rolin e saj si ndërmjetësuese.

Rezultatet e dialogut kanë kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe afrimin e të dyja shteteve me BE-në, si dhe ky proces ka ndikuar drejtpërdrejt në normalizimin e rendit, sigurisë dhe demokracisë në komunat veriore dhe shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Ajo ka përmendur se nga ana e Serbisë vazhdojnë ngecjet në zbatimin e marrëveshjeve si dhe që Serbia vazhdon të shkel parimet e fqinjësisë së mirë duke ndërhyrë ilegalisht në Kosovë, siç ishte rasti i fundit me barrikadat në urën e Mitrovicës apo prezenca e strukturave paralele komunale, që janë duke penguar punën e kryetarëve legal në katër komunat veriore.  Në këtë proces ka ende sfida të mbetura e për të cilat kërkohet angazhim më i shtuar nga vetë Brukseli si lehtësuese e këtij procesi tha znj. Tahiri.

Zëvendëskryeministrja Tahiri u është përgjigjur edhe shumë pyetjeve të këtij grupit të gazetarëve që kishin të bënin me mandatin e EULEX-it në Kosovë, marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, për dialogun, zhvillimin ekonomik, pjesën veriore dhe për perspektiven evropiane të Republikës së Kosovës.

Tahiri tha se “perspektiva euroatlantike e Republikës së Kosovës tashmë është shumë më e qartë pasiqë kemi vendosur marrëdhënie të drejtpërdrejta me Bashkimin Evropian përmes Marrëveshjes për Stabilizim dhe Associm si dhe kemi ardhur në përfundim edhe të transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës konform standardeve të kërkuara nga shtetet anëtare dhe vetë Aleanca Veri atlantike e NATO-së”.

Ajo poashtu foli edhe për izolimin e pa drejtë që po ju bëhet qytetarëve të Kosovës duke mos e gëzuar të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën shengen dhe pret që kjo çështje sa më parë të gjejë zgjidhjen e merituar dhe të gjithë njerëzit e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm në hapësirën evropiane pasiqë qytetarët e saj e konsiderojnë vetën si pjesë të pandashme të familjeve euro perëndimore.


Grupi i gazetarëve austriak ishte në përbërje të: z. Franz Josef Rupprecht, kryeredaktor i gazetës Martinus, Mag. Mirko Kolundzic nga Pressesprecher der Orthodoxen Bischofskonferenz ne Austri, Dr. Josef Ertl, Redakor ne KURIER OO, Manfred Haupts, Francisca Hussarek, Malteser Kreuz, Josef Innerhofer nga Radio Sacra Famiglia, Radio Grune Ëelle, Prof. Erich Leitenberger nga Pressesprecher PRO ORIENTE, Andreas Mittendorfer nga ORF Osterreichischer Rundfunk/ Radio, Mag. Jennifer Mostogl ( ab. Di., 26.8., NM, Tirana) nga Katholische Presseagentur Kathpress, Dr.Helmut L. Muller nga Salzburger Nachrichten, Dr. Georg Plank nga Pastoralin Inovation, Dr. Senta Radax- Ziegler (ab. Di., 26.8., NM, Tirana) nga Freie Journalistin, Mag. Hermine Schreiberhuber nga APA Austria Presseagentur dhe Mag. Anila Sokoli.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)