Personave me nevoja të veçanta tu hapet një dritare
Prishtinë, 23 prill- Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim përfaqësuesit e Shoqatës së të Verbërve të Kosovës, me rastin e daljes së numrit të parë të revistës mujore në alfabetin Brajl, Syri ynë, dedikuar personave të verbër, botimi i të cilës është financuar nga Kuvendi.
Kryeparlamentari Veseli shprehu zotimin e Kuvendit të Kosovës për të vazhduar mbështetjen ndaj kësaj shoqate dhe të gjithë personave me nevoja të veçanta, duke insistuar, gjithashtu, në implementimin e ligjeve dhe rekomandimeve të nxjerra nga Kuvendi, në mënyrë që të gjitha institucionet dhe shoqëria e Kosovës të jenë në përkrahje të këtyre njerëzve. Veseli tha se me një punë fare të vogël, personave me nevoja të veçanta mund tu hapet një dritare e madhe.
Ai bëri të ditur se deri në fund të këtij viti, pesë persona me nevoja të veçanta do të jenë të punësuar në Kuvendin e Kosovës.
Kuvendi do ti ketë dyert e hapura për të gjitha kategoritë e qytetarëve me nevoja të veçanta. Unë u bëj thirrje të gjitha shoqatave që përfaqësojnë këto kategori të qytetarëve me nevoja të veçanta, që të vijnë me iniciativa dhe ne jemi të gatshëm që të ndërhyjmë për ndryshimin e ligjeve, për të përmirësuar e avancuar statusin social të këtyre qytetarëve, theksoi kryeparlamentari Veseli.
Kryetari i shoqatës, Bujar Kadriu, falënderoi kryetarin Veseli për mbështetjen e pakursyer ndaj personave me nevoja të veçanta, përkatësisht atyre të verbër, tregues i të cilës është edhe financimi i kësaj reviste nga ana e Kuvendit.
Kadriu tha se kjo revistë u ka krijuar personave të verbër një mundësi shtesë për informim, duke përmbushur kështu një standard të informimit publik dhe respektimit të konventave ndërkombëtare.
I nderuar kryetar, ju keni përmbushur një standard dhe unë ju falënderoj në emër të shoqatës. Kjo revistë sot, pikërisht në ditën botërore të librit, prodhoi energji pozitive dhe njëkohësisht i motivoi të rinjtë, duke u mundësuar atyre që të jenë në rrjedha të zhvillimeve të përgjithshme në vendin tonë, theksoi Kadriu.
Anëtari tjetër i shoqatës, Daut Hoxha, ndërkaq, lexoi pjesë të një artikulli të botuar në revistën Syri ynë, në alfabetin Brajl.