Përparim Kryeziu emërohet zëdhënës i Qeverisë së Republikës së Kosovës
Prishtinë, 28 mars - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Përparim Kryeziun, zëdhënës të Qeverisë.
Përparim Kryeziu është i diplomuar me nderime të larta nga Universiteti i Ri i Lisbonës (Universidade NOVA de Lisboa), ku ka studiuar Sociologji Ekonomike dhe të Organizatës.
Ai ishte bursist i programit SIGMA Agile, të financuar nga Komisioni Evropian i BE-së.
Studimet bachelor në Sociologji Kryeziu i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, vitin e fundit të të cilave e ka ndjekur në Universitetin e Antwerpit në Belgjikë, si përfitues i bursës JoinEU-SEE, të financuar gjithashtu nga Komisioni Evropian.
Ai ka qenë edhe bursist pionier i programit të shkëmbimit YES (Youth Exchange and Study) të financuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan, nëpërmjet të cilit ka ndjekur një vit të shkollës së mesme në Vermont të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për afër tre vjet ka qenë aktivist i shoqërisë civile, i angazhuar si asistent hulumtues në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë dhe hulumtues në Grupin për Studime Juridike dhe Politike.
Kryeziu ishte zëdhënës i Qeverisë Kurti I, dhe vitin e fundit ka ushtruar detyrën e zëdhënësit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!.