29 Prill 2024

Përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë sukses i përbashkët

Prishtinë, 31 janar - Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, mirëpret gatishmërinë e Grupit Drejtues Ndërkombëtar për përmbylljen, brenda këtij viti, të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Përmbyllja e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë sipas Presidentes Jahjaga shënon një sukses të përbashkët të bashkësisë ndërkombëtare, të institucioneve të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, që me kontributin e tyre vendosën themelet e shtetit sovran, të pavarur dhe demokratik.

\"Bashkësia ndërkombëtare dhe shtetet mike të Kosovës kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen dhe konsolidimin e shtetit tonë. Mirëpresim ndihmën e vazhdueshme në rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian, anëtarësimit në OKB dhe në NATO si dhe në organizatat dhe mekanizmat rajonal dhe ndërkombëtar\", ka thënë Jahjaga.

Periudhën deri në përmbyllje të misionit të Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), institucionet e Republikës së Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare do ta shfrytëzojnë për ndërtimin e një qasjeje të përbashkët, për konkretizimin e përgjegjësive dhe përcaktimin e bartësve të proceseve në mënyrë që kjo fazë e tranzicionit të zhvillohet dhe të përfundoj me sukses. Kjo siguron përmbushjen e plotë të obligimeve që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit.

\"Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që në bashkëpunim të ngushtë dhe partneritet me praninë ndërkombëtare në Kosovë të vendosin kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në tërë territorin e Kosovës, duke përfshirë integrimin e tri komunave në veri të vendit si dhe për ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme demokratike\", është shprehur Jahjaga.   

Republika e Kosovës garanton zbatimin dhe përmbushjen e të gjitha obligimeve dhe detyrimeve ndërkombëtare.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)