Përmbyllet mbikëqyrja, veriu mbetet çështje e hapur
Prishtinë, 6 shkurt - Zyra Civile Ndërkombëtare në Kosovë (ICO) nuk e ka përjashtuar mundësinë që çështja e veriut të vazhdojë të mbetet e hapur edhe pas përfundimit të mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës.
I pyetur se kush do të udhëheqë procesin e adresimit të çështjes së veriut nëse ICO e përfundon misionin deri në fund të vitit, zëdhënësi i kësaj zyre, Christian Palme ka thënë se ajo do të vazhdojë të mbetet ndërmarrje e përbashkët ndërmjet aktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë.
Asnjë aktor nuk është përgjegjës për zgjidhjen e përhershme të situatës në veri të Kosovës. Veriu është dhe do të vazhdojë të mbetet ndërmarrje e përbashkët ndërmjet aktorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, ka thënë Palme.
Ai ka shtuar se derisa Qeveria e Kosovës të përfundojë detyrat e mbetura në CSP (Propozimin Gjithepërfshirës për Statusin) edhe ICO-ja i afrohet fundit të mbikqyrjes së pavarësisë në Kosovë.
Siç është theksuar nga Grupi Ndërkombëtar Drejtues pas takimit në Vjenë, partnerët ndërkombëtarë të Kosovës pritet që të vazhdojnë të këshillojnë qeverinë e Kosovës, ka shtuar ai.
Sa u përket komunave të reja Mitrovicë/Mitrovicë Veriore janë ndërmarrë shumica e masave. Qeveria e Kosovës tani u jep më shumë shërbime qytetarëve të veriut të Kosovës se më parë. Për shembull para 18 muajsh nuk kishte zyrë të Qeverisë së Kosovës në veri, tani janë 7 zyra funksionale. Para 18 muajsh nuk kishte asnjë aplikues për dokumente të Kosovës. Tani janë më shumë se 8000, ka thënë ai.
Sipas Palmes, që nga viti 2010, MPT-ja po punon drejtëpërdrejt me qytetarët e veriut të Mitrovicës kishte sponsorizuar vetëm një projekt të infrastrukturës, ndërsa vitin e kaluar i kanë kompletuar 8 të tilla.
ICO-ja konsideron që krerët e komunave ilegale të veriut nuk mund ta mbajnë peng Kosovën, ndërsa nga Qeveria në Prishtinë pret që të jetë më aktive në qasjen e saj ndaj kësaj pjese të vendit.