Përmbushet edhe një rekomandim për liberalizimin e vizave
Prishtinë, 12 shkurt - Ministria e Integrimit Evropian në bashkëpunimin me Ministrinë e Administratës Publike, ka mbajtur sot konferencë për media me rastin e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit mes Ministrit të Administratës Publike, Mahir Yagcilar dhe Avokatit të Popullit Hilmi Jashari, lidhur me sigurimin e hapësirave të punës për Institucionin e Avokatit të Popullit.
Me këtë rast palët konsideruan se ky memorandum kontribuon pozitivisht në funksionimin e Institucionit të Avokatit të Popullit.
Me nënshkrimin e këtij memorandumi u plotësua edhe një kusht për liberalizimin e vizave gjë që dëshmon përkushtimin e Republikës së Kosovës ndaj çështjes së mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut.
Përmes memorandumit palët u dakorduan që hapësirat ekzistuese në ndërtesën e ish-Bankës së Lubjanës, do të ofrohen për akomodimin e Institucionit të Avokatit të Popullit.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, ministri i MAP, z. Mahir Yagcilar, përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, z.Samuel Zhbogar, avokati i popullit z.Hilmi Jashari si dhe zëvendësministri i Integrimit Evropian z.Ramadan Ilazi, ju drejtuan mediave me nga një fjalë rasti.