16 Janar 2025

Përkujtohet komandant Bardhi

Kaçanik, 14 maj - Në 14 vjetorin e rënies është përkujtuar Heroi i Kosovës, komandanti i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, Qamil Ilazi - komandant Bardhi. Në tubimin përkujtimore, të mbajtur në fshatin e lindjes, në Kaçanik të Vjetër, fjalë rasti në emër të Këshillit Organizues ka prezantuar Jashar Selimi.

Ai me këtë rast ka thënë se Qamil Ilazi që nga viti 1981 asnjëherë s’ka pushuar së vepruari për çështjen kombëtarë, ndërsa në vitin 1995 u dënua me 18 muaj burg. “Pasi lirohet nga burgu, Qamil Ilazi vazhdoi pareshtur në ngritjen e idealit kombëtar ndërsa regjimi serb përsëri, në vitin 1998, në mungesë e dënoi me 8 vjet burg por kësaj radhe njësitet e specializuara nuk e gjetën Qamilin pasi ai gjendej në malet e Kosovës”, ka deklaruar Selimi, ndërsa më pas ka shtuar se që nga prilli i vitit 1998 ishte radhitur radhëve të UÇK-së ndërsa në gusht të vitit 1998, Qamili emërohet komandant i Njësisë së Kaçanikut e më pas më 27 nëntor emërohet Komandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”. “Më 26 shkurt në betejën, te Puset e Nikës, luftëtarët e udhëhequr nga komandant Bardhi thyen forcat çetnike ndërsa 2 ditë më vonë në betejën e Gajres, po ashtu, armiku pësoi humbje të mëdha”, ka theksuar ai.

Selimi më tej ka thënë se komandant Bardhi shquhej si një strateg ushtarak i nivelit të lartë dhe i kalitur nëpër beteja. “Në ditën e 14 majit, komandant Bardhi së bashku me ushtarin Selim Shehu, bie heroikisht në krye të detyrës, e mori rrugën e amshimit dhe iu bashkua atyre që me heroizmin e tyre luftuan armikun”, është shprehur në mes tjerash ai.

Ndërkaq Xhelal Gashi, kryesues i Kuvendit të Komunës ka thënë se “rënia e komandantit ngërthen emocion dhimbje, por edhe krenarie dhe njëkohësisht kjo ditë, dhe të tjerat, e rënies së dëshmorëve, na nxisin të punojmë më shumë në sendërtimin më të fuqishëm të institucioneve tona, ashtu siç i deshën dëshmorët”.

Para të pranishmëve ka folur edhe kolonel Hajrush Kurtaj, zëvendëskomandant i Brigadës 162 “Agim Bajrami”.
Ai ka përmendur një varg betejash të cilave u kishte prirë komandant Bardhi deri në momentin e rënies së tij.
Ai ka thënë se të gjitha betejat lidhen ngushtë me emrin e Qamil Ilazit - komandant Bardhit. “Rënia e tij është një shembull se si luftohet e flijohet për atdhe”, ka thënë Kurtaj.

Në emër të familjes së komandant Bardhi, të pranishmit i ka përshëndetur, djali i tij, Besnik Ilazi.
Komandanti Qamil Ilazi është nderuar edhe në vendin e rënies, te vendi i quajtur “Te Vezt”.
Me një fjalë rasti është paraqitur edhe nënkryetari i Komunës, Remzi Elezi.

Ai ka thënë se “sot në këtë ditë të shënuar, në 14-vjetorin e rënies së heroit të Kosovës, me pietet përkulemi para komandantit hero, para veprës dhe heroizmit të tij”. “Rënia e tij dhe bashkëluftëtarëve janë dëshmia e përjetshme dhe sublime e krenarisë sonë kombëtare. E liria kërkonte, flijim, sakrificë, vuajtje , plagë e gjak. Liria kërkonte qëndresë, guxim, trimëri e heronj të paepur siç ishte komandant Bardhi. Ne sot po përkulemi para komandantit tonë, në sot po nderojmë veprën sublime të tij, ne sot po nderojmë heroin e Kosovës”, ka thënë Elezi.

Ndërkaq të pranishmit i ka falënderuar Zineta Shehu, vajza e dëshmorit Selim Shehu Nxënësit e shkollës “Qamil Ilazi”, e kanë shfaqur një program kulturor e artistik, ndërsa këngë për komandantit ka kënduar këngëtari Milaim Mezini.
Më pas kryetari i Komunës, Besim Ilazi me bashkëpunëtor kanë vendosur kurora lulesh pranë lapidarit të ngritur në vendin e rënies, pastaj pranë lapidarit të ngritur në oborrin e shkollës dhe kompleksin memorial të dëshmorëve.

Komandant Bardhi është dekorua më 28.11.2012 me urdhrin “Hero i Kosovës” me rastin e 28 nëntorit - Ditës së Flamurit Kombëtar.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)