Perkujtohet ish presidenti Ibrahim Rugova
Prishtinë, 21 janar - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga në akademinë përkujtimore kushtuar Ibrahim Rugovës, foli për ideologjinë, punën dhe vizionin e tij, ndersa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se Rugova ishte lideri i cili e vulosi fundshekullin e kaluar dhe fillimin e shekullit të ri dhe arritëm që Kosovën ta pavarësojmë.
Presidentja Jahjaga tha se jeta dhe vepra e Rugovës na bëjnë të ndjehemi krenar për të arriturat e vendit. Jahjaga e quajti presidentin Rugova, arkitekt të pavarësisë e udhëheqës largpamës.
Jeta dhe veprimtaria e presidentit të parë të Republikës së Kosovës, na bëjnë të ndihemi krenar për rrugën që ne si popull bashkarisht e kemi kaluar. E gjithë kjo rrugë, ky vizion na bëjnë që të nderojmë dhe kujtojmë, me respekt, liderin, arkitektin e pavarësisë,udhëheqësin tonë largpamës i cili përfundimisht e orientoi vendin e popullin tonë drejt SHBA-ve , në përqafim të vlerave përendimore, tha Jahjaga.
Ndërkaq, një delegacion i kryesisë së LDK-së vizitoi sot familjen Rugova. Kreu i LDK-së Isa Mustafa vlerësoi lartë figurën e ish presidentit Rugova dhe kontributin e tij në shtetformimin e Kosovës.
Si një filozof i cili e zhvilloi një aktivitet dhe një lëvizje të veçantë në një periudhe kur ishte shumë vështirë të lëvizej për liri, pavarësi dhe demokraci, lider i cili e vulosi fundshekullin e kaluar dhe fillimin e shekullit të ri dhe të arritëm që Kosovën ta pavarësojmë, që Kosova të ec drejtë integrimeve evropiane dhe euro- atlantike, kërkesë e tij e kamotshme, tha Mustafa.
Për të nderuar ish presidentin Rugova, homazhe pranë varrit të tij bënë edhe kryesia e AAK-së. Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj tha se në nderim të veprës së tij kujtojmë gjithë arritjet që ka shënuar vendi.
Në përvjetorin e ndarjes fizike nga ne të presidentit historik dr. Ibrahim Rugova,bëjmë nderim dhe kujtojmë rrugën e gjatë të popullit tonë deri këtu e veçanërisht rolin historik të presidentit Rugova në rrugën e gjatë të arritjeve e popullit të Kosovës, tha Haradinaj.
Homazhe te varri i ish presidentit Rugova kanë bërë edhe drejtues të partive tjera politike, ndërkohë në shenjë të nderimit të veprës së tij, forumi rinor i LDK-së , organizoi marsh në qendër të Prishtinës.
Ndërkaq, seanca plenare e Kuvendit të Kosovës e paraparë për sot nuk është mbajtur me kërkesë të Grupit parlamentar të LDK-së për shkak të aktiviteteve në përkujtim të vdekjes së ish presidentit Ibrahim Rugova.