Përkujtohet ish presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova
Prishtinë, 21 janar - Janë bërë sot dhjetë vjet nga vdekja e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, do të organizohen disa aktivitete për të shënuar përvjetorin e tij të vdekjes.
Fillimisht, kryesuesit e Degëve të LDK-së, do të bëjnë homazhe pranë varrit Rugova në Velani në orën 09:30. Ndërsa, homazhe duke filluar nga ora 10:00, do të bëj edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Për të nderuar Presidentin Rugova dhe për të bërë homazhe pranë varrit të tij, kryetari i LDK-së njëherësh dhe Kryeministër i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në orën 10:30 me anëtarët e Kryesisë së LDK-së, do të bëj homazhe tek varri i tij, i cili më pas do të vizitojnë familjen Rugova.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, duke filluar nga ora 12:00, në hotelin Emerald, organizon akademi përkujtimore për 10-vjetorin e vdekjes së Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Po ashtu, kryeministri, Isa Mustafa merr pjesë në Ekspozitën dokumentare me fotografi të ish-Presidentit, dr. Ibrahim Rugova, që do të organizohet në Bibliotekën Kombëtare në orën 14:00.
Në orën 18:00, nën patronazhin e presidentes së vendit, Atifete Jahjaga, në Teatrin Kombëtar, organizohet akademi përkujtimore me rastin për Presidentit Ibrahim Rugova.
Rugova ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 pas një beteje me kancerin në mushkëri.
Rugova ishte shpallur hero i Kosovës nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu.